
Ish drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Elidjana Çelaj, e cila për disa muaj dyshohet se u zhvati dhjetëra milionë euro bizneseve me gjoba si kryetatimore e Shqipërisë, në qershor të vitit 2017 ka themeluar kompaninë e shërbimeve mjekësore Medical-E Group shpk, me kapital 5 milionë lekë.
Në dhjetor të vitit 2021, Elidjana Çelaj ia dhuron aksionet të afërmes Klarita Jaupi, duke e kontrolluar kompaninë përmes saj për shkak të emërimit në funksione publike.

Kompania me kapital vetëm 5 milionë lekë kamuflon këtë klinikë me vlerë qindra mijëra euro, të quajtur Hemera Medical Center, në Rrugën Ibrahim Kodra në Tiranë.

Pamjet e klinikës tregojnë për investimin pa bazë të ligjshme të ardhurash.
Ka dyshime të forta se zonja Çela ka investuar dhe pastruar përmes klinikës luksoze paratë produkt të aferave korruptive, skemave të mashtrimit dhe dallavereve financiare, për të cilat do flasim më poshtë.
Përmes kompanisë Medical-E Group shpk, Elidjana Çelaj ka 50 % të aksioneve në klinikën e syve INDIAN EYE INSTITUTE AND LAZER CENTER shpk.
Administrator në të dyja kompanitë rezulton Ardjan Çelaj, lidhje e ngushtë e Elidjana Çelajt.
Klinika e syve te Kompleksi Kika 2 te Komuna e Parisit qarkullon gjithashtu qindra mijëra euro para të dyshimte dhe ashtu si klinika mëmë, mashtron çdo vit me bilancet.

Elidjana Çelaj rezulton fije lidhëse financiare e një prej mashtruesve më të famshëm në historinë e pluralizmit në Shqipëri; Ardian Xhillari.
Madje, ish drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Elidjana Çelaj ka përfituar një kompani të dhuruar nga Adrian Xhillari, i arrestuar për skandalin e naftës Virgin, një prej aferave më të mëdha financiare në sektorin e karburanteve në Shqipëri.

Në vitin 2018 Xhillari u arrestua në Gjermani pas një urdhri të Interpol Tiranës, ndërsa Prokuroria kërkoi 15 vjet burg për akuzat e “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Shtrirja e hetimeve lidhet me kohën kur Xhillari ia ka dhuruar aksionet e veta të kompanisë “ECS Eco Climate Solution” Elidjana Çelajt.

Historia e kësaj kompanie nis me themelimin në 16 tetor 2012 nga Edmond Jaupi, Adrian Xhillari dhe Elidjana Çelaj, ku Çelaj ka kontribuar me kapital 3 mijë 500 euro, Jaupi me 17 mijë 500 euro dhe Xhillari me 14 mijë euro. Më 14 maj 2013, Xhillari ia dhuron aksionet e veta Elidjana Çelaj dhe në 19 Maj 2014, Edmond Jaupi ia dhuron pjesën e vet Çelajt, e cila bëhet zotëruese e plotë e shoqërisë.
Pas disa javësh në 25 korrik 2014, Çelaj ia dhuron mbrapsht vëllait të saj, Edmond Jaupi. Është e dyshimtë se si palët i kanë dhuruar njëra-tjetrës një kompani që ka asete me vlerë 700 milionë lekë ose 7 milionë euro dhe me xhiro vjetore 2 milionë euro. Por përveç transaksioneve, historia e kompanisë ka lidhje me tenderat dhe aferat publike.

Elidjana Çelaj do të ishte pjesë e Postës Shqiptare si zv. Drejtoreshë e Përgjithshme me titullar ish-deputetin e Partisë Socialiste Laert Duraj. Gjatë kohës që Duraj ka qenë Drejtor i Përgjithshëm, kompania “ECS Eco Climate Solution” që Çelaj i ka dhuruar vëllait të saj, Edmond Jaupit, ka përfituar tendera nga Posta Shqiptare, për të cilët ka patur ankesa në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Gjatë kohës kur Elidjana Çelaj ka mbajtur postet zv/Drejtoreshë e Postës Shqiptare, pozicionin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Hartimit të Programeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në fund atë të drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, kompania e saj, kamufluar në emrin e të vëllait, ka përfituar 1.8 milionë euro para publike. Vijon…/PRAPASKENA

