Prej më shumë se një muaji, banorët e Rrjollit në Velipojë janë në protestë kundër ndërtimit të resortit turistik “Blue Borgo”, projekt i kompanisë “Gener 2”, në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.
Sipas tyre, punimet po kryhen mbi tokat e tyre, për të cilat pretendojnë se kanë dokumentacion të rregullt pronësie për rreth 400 dynym, të njohur edhe me vendim gjykate të vitit 2006.
Mbrëmjen e sotme, banorët e Rrjollit janë zhvendosur në Tiranë, ku po protestojnë përpara Parlamentit të Shqipërisë, të mbështetur nga Partia Mundësia.
Protestës para Kuvendit i janë bashkuar edhe qytetarë nga Durrësi, të cilët kundërshtojnë projektin TID, me pretendimin se projektet zhvillimore po përdoren për t’u marrë pronat në favor të interesave private.
Protestuesit kërkojnë që Kuvendi dhe institucionet të verifikojnë procedurat e dhënies së tokave dhe të garantojnë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë.
Gjatë javëve të fundit, tensione të forta janë regjistruar në kantierin e punimeve në Rrjoll, ku banorët janë përplasur me Policinë e Shtetit dhe me punonjës të policisë private “Breçani Security”, duke tentuar të bllokojnë mjetet dhe punimet.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe bllokimet nëse ndërtimi nuk ndalet deri në përfundim të proceseve gjyqësore për pronësinë.
Resorti “Blue Borgo” është shpallur investim strategjik, pasi më 31 dhjetor 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me vëllezërit Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën statusin “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje” për këtë projekt turistik në bregdetin e Velipojës./Versus.al

