AKTUALITET /

GJKKO dënon me 4 vite burg Alqi Bllakon për Inceneratorin e Tiranës

Akuzat kundër Bllakos kanë të bëjnë me "Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", një akuzë që u ngrit nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Shkruar nga Versus

GJKKO dënon me 4 vite burg Alqi Bllakon për Inceneratorin e

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të dënojë me 4 vite burg ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, në lidhje me skandalin e Inceneratorit të Tiranës. Megjithatë, për shkak të aplikimit të institutit të gjykimit të shkurtuar, Bllako do të kryejë vetëm 2 vite e 8 muaj burg.

Akuzat kundër Bllakos kanë të bëjnë me "Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", një akuzë që u ngrit nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Në shkurt të këtij viti, SPAK kërkoi një dënim prej 5 vitesh burg për Bllakon, si dhe ndalimin e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite pas përfundimit të dënimit. Megjithatë, GJKKO vendosi një dënim më të lehtë.

Sipas hetimeve, Bllako është akuzuar për dy raste korrupsioni. Në të parën, ai ka marrë një shumë prej rreth 120 mijë euro nga biznesmeni Klodian Zoto, në lidhje me fabrikën e birrës së babait të tij.

Në rastin e dytë, Bllako ka ndërmjetësuar punësimin e Vladimir Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, duke siguruar përfitime të parregullta në vlerën e 7,520,000 lekë.

Hetimet e SPAK-ut tregojnë se Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ka shfrytëzuar pozitën e tij për të përfituar në mënyrë të paligjshme. Ai ka ndërmjetësuar marrëdhënie midis biznesmenëve dhe zyrtarëve, duke siguruar përfitime financiare për vete dhe për të afërmit e tij.

Njoftimi i GJKKO-së

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur
pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket
procedimit penal nr. 255/2 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Alqi Bllako, i
akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë
shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim
të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Flojera Davidhi
dhe Erjon Bani, me vendimin Nr. 22, datë 11.03.2025 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Bllako, për kryerjen e veprës penale
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe në bazë të
nenit 259 (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr.43, datë 23.03.2021) të Kodit
Penal, dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Bllako, për kryerjen e veprës penale
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe në bazë të
nenit 259 (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr.43, datë 23.03.2021) të Kodit
Penal, dënimin e tij me 3(tre) vjet e 6(gjashtë) muaj burgim.

3. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi 1 të Kodit Penal, dënimin e të
pandehurit Alqi Bllako me një dënim të vetëm me 4 (katër) vjet burgim.

4. Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Alqi
Bllako i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe
përfundimisht dënohet 2(dy) vjet e 8(tetë) muaj burgim.

5. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit datë 09.12.2023, dhe të kryhet në një
burg të sigurisë së zakonshme.

6. Heqjen e së drejtës së të pandehurit Alqi Bllako për të ushtruar funksione publike
për një kohë prej 5 (pesë) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi 2, të Kodit Penal.

7. Shpenzimet proceduriale, ato të hetimit paraprak në shumën **** Lek dhe të
gjykimit të çështjes, sipas formularit bashkëgjitur këtij vendimi, i ngarkohen të
pandehurit Alqi Bllako.

8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve nga e nesërmja e
komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit per
Korrupsionin dhe krimin e Organizuar/Versus.al

 

Poll