AKTUALITET /

'Gjyqtarët po përgjohen nga SPAK', reagon Kushtetuesja: Nuk kemi pasur asnjë ndikim apo presion nga jashtë!

Në deklaratën e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se ajo distancohet nga çdo keqinterpretim dhe debat i paargumentuar në media.

Shkruar nga Versus

'Gjyqtarët po përgjohen nga SPAK', reagon Kushtetuesja: Nuk

Gjykata Kushtetuese ka publikuar një njoftim zyrtar mesditën e sotme, duke u përgjigjur debatit mediatik që ka sjellë në qendër të vëmendjes pretendimet se disa gjyqtarë të saj janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin.

Në deklaratën e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se ajo distancohet nga çdo keqinterpretim dhe debat i paargumentuar në media. Institucioni nënvizon se procesi i vendimmarrjes së tij bazohet ekskluzivisht në parimet dhe procedurat e përcaktuara nga ligji, duke garantuar qëndrueshmërinë dhe korrektësinë e tij.

Për më tepër, theksohet në reagim, Gjykat Kushtetuese do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e saj me integritet, korrektësi dhe plotësisht të pavarur nga ndikime ose presione të jashtme.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese, nisur nga debati mediatik i ditëve të fundit, për vënien nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme të një gjyqtari kushtetues, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij, konsideron me rëndësi që të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor.

Gjykata është e vetëdijshme për ndikimin që ka veprimtaria dhe forca e autoritetit të saj ndaj aktorëve politikë dhe institucionalë, ndaj medias, palëve në proces, ashtu edhe ndaj opinionit publik. Për këto arsye, Gjykata ndjek rregullat e transparencës në vendimmarrje, me qëllim krijimin dhe ruajtjen e besimit publik ndaj saj.

Gjykata ka shprehur edhe më parë bindjen se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo i shërben forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur, ndaj ka ngritur shqetësimin rreth keqinterpretimeve dhe përpjekjeve për ta përfshirë atë në debate të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrje konkrete dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj. 

Pa dashur të bëhet pjesë e asnjë diskursi mediatik, Gjykata vlerëson të theksojë se procesi vendimmarrës në ushtrimin e funksionit për dhënien e drejtësisë kushtetuese bazohet në parimet dhe procedurat e parashikuara nga korniza kushtetuese dhe ligjore, duke qenë çdo vendimmarrje rezultat i një procesi diskutimesh të mendimeve dhe qëndrimeve të secilit gjyqtar kushtetues, sipas bindjes së tij të brendshme, për të cilat gëzon imunitet të garantuar nga Kushtetuta në ushtrim të funksionit të tij.

Gjykata, duke pranuar rëndësinë që ka në një shtet të së drejtës ushtrimi i kompetencave të çdo organi publik në respektim të kornizës kushtetuese dhe asaj ligjore, dëshiron të theksojë se ajo, sikundër ka vepruar deri më tani, do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.

Ditë më parë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në një dalje publike për prezantimin e statistikave për vitin 2024 , konfirmoi se institucioni që ajo drejton i ishte dërguar me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Posaçme, për të mësuar më shumë mbi pretendimet e shfaqura e shfaqura në media.

Pak ditë më vonë,  kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i ka kthyer përgjigjje kërkesës së Holta Zaçaj, sipas një shkrese nga “Boldnews.al”.

Në krye të letrës, Dumani rithekson kuadrin ligjor, në bazë të të cilit Prokuroria e Posaçme “nuk mund të ndajë me institucione ose palë të treta që nuk janë subjekte të procedimit penal informacion mbi ekzistencës ose mosekzistencën e procedimit penal”.

Megjithatë, i përgjigjet Dumani - Zaçajt “në përgjigje të interesit Tuaj, mund t’Ju konfirmojnë se në Prokurorinë e Posaçme nuk është paraqitur asnjë kallëzim penal ndaj ndonjërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si edhe ju konfirmojmë se nuk është në statusin ‘person nën hetim’ asnjë prej gjyqtarëve kushtetues”. /Versus.al

Poll