Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka njoftuar realizimin e një operacioni ndërkombëtar në bashkëpunim me autoritetet franceze, ku u godit një grup kriminal shqiptar që merrej me trafikun e drogërave (heroinë, kokainë si dhe lëndë e përzierë).
Në total, janë arrestuar 19 persona, tre prej tyre në Shqipëri dhe 16 të tjerët në Francë ku janë sekuestruar sasia monetare prej 20 mijë eurosh dhe 3 automjete. Ndërsa në Shqipëri, janë arrestuar 3 persona që ishin nën hetim, të identifikuar si Redian Doda, Zabit Fisniku, Fabi Isaku pjesëtarë të grupit kriminal shqiptar.
Aktivitet i trafikut të drogës që zhvillohej në territorin francez, drejtohej në distancë nga "bosi" shqiptar Redian Doda, i cili jetonte dhe banonte në Shqipëri.
"Bazuar akteve që janë administruar për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, gjatë periudhës gusht-dhjetor 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim paraprak në qarkun e Albertville (73), në lidhje me veprimet e një grupi kriminal të organizuar i cili është marrë me trafikun e drogës. Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit. Hetimet e kryera, bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69)"- thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndaj Redian Dodës, u mor masa e sekuestros së llogarisë bankare prej 20 mijë eurosh, ndërsa u zhvilluan kërkime edhe në banesat e tij dhe 2 bashkëpunëtorëve, Zabit Fisniku dhe Fabi Isaku ku u gjetën dhe sekuestruan:
· 15 automjete,
· 34.270 euro cash,
· 1000 franga zviceriane,
· 180.000 lekë të reja,
· 9 aparate celularë,
· 3 tableta,
· 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.
Ndërsa vlera e lëndës narkotike të sekuestruar, llogaritet të jetë rreth 1 milionë euro. Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale. Versus.al







