Gazetari Artan Hoxha i është rikthyer temës së biznesmenit të zhdukur prej 2022-it, Ervis Martinaj për të cilin pretendon se është eleminuar nga një grup i fuqishëm.
I ftuar në Euronews Albania, Hoxha u shpreh se grupi që sipas tij ka eleminuar ‘’Mbretin e lojërave të fatit’’ ka marrë superfuqi dhe për shkak të lidhjeve me pushtetin, as autoritetet hetimore të cilat kanë dijeni, nuk reagojnë dot pasi grupi është tepër i rrezikshëm.
Më tej gazetari shtoi se asnjëri prej anëtarëve të këtij grupi të rrezikshëm nuk është arrestuar deri më tani.
"Shikoni ngjarjet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. E njëjta dorë që pasi ka bërë eliminimin e Ervis Martinajt, tani ka marrë një ngjitje të menjëhershme dhe prandaj sot është shumë aktive dhe e rrezikshme.
Kemi një hierarki tjetër në botën e krimit të organizuar dhe po ashtu një hierarki tjetër në botën e atyre që quhen vrasës që janë rritur nga ajo kohë, ata që patën sukses në atë ngjarje. Asnjë nga ajo skuadër nuk është arrestuar. Aleanca që realizoi vrasjen është shumë e fortë dhe në pushtet në të gjitha. S'mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s'ke me këta lart."-tha Hoxha. Versus.al







