I rrënuar ekonomikisht dhe moralisht për shkak të konfiskimeve të pasurisë për shkak të një mikrokredie, ish-zyrtari i Bashkisë së Lezhës, Pal Trashaj ka shkuar sot para dyerve të SPAK dhe u ka thënë gazetarëve se kishte konsumuar fostoksinë.
Gazetari Fatjon Gjinaj shkruan në Facebook, se kishte qenë vetë Pali që i kishte thënë se kishte konsumuar helm, por sipas tij, nuk kishte ndonjë provë për këtë akt, por gjithsesi është thirrur ambulanca.
Sipas Gjinajt, Pal Trashaj kishte kallëzuar në SPAK zyrtarë të lartë, ish ministra e deputetë, por prokuroria e posaçme ja kishte kthyer mbrapsh.
Shënimi i gazetarit Fatjon Gjinaj pas takimit me Pal Trashaj:
Pal Trashaj është parë në ambientet e jashtme të Prokurorisë së Posaçme prej orës 12:00 të datës 2 korrik.
Ai ka komunikuar me disa gazetarë mes të tjerave ka thënë “Kam pirë fostoksinë”.
“Ç’po thua” i thashë, pasi më thirri në emër “Fatjon, Hajde pak”. I kërkova me insistim letrën, mbështjellësen, ambalazhin e barnit të pretendur. Nuk ma dha, nuk e kam shikuar se ku e kishte as nuk e kam prekur.
Kolegu im Edison Vatnikaj ishte pranë, i kërkoj të telefonojë dikë në polici, ka komunikuar në orën 12:23 me urgjencë në telefon me shefin e Komisariatit nr 3.
Zotëria dukej i prekur, ama nuk e pashë në asnjë çast si objekt të punës sime, por si një qënie që kishte ndoshta nevojë për ndihmë, edhe në mos kishte sikurse diskutuam me kolegët, të vijnë autoritetet e bëjnë punën e tyre.
Ne s’jemi mjekë, as prokuror, pavarësisht se në ato dyer SPAK-u, mallkohet çdo ditë, kërcënohet, shahet….
Pali kishte shenja të diçkaje në buzë, por nuk di të them çfarë.
Insistimi i tij se kishte pirë fotoksinë, më bëri të këmbëngul që duhej thirrur edhe ambuëanca.
Edison Vatnikaj ka kërkuar ambulancë në orën 12:29.
Para saj ka ardhur policia, ka ardhur pas disa minutash ambulanca ndërkohë që qytetari dukej i ndërgjegjshëm, artikulonte dhe denonconte
“Kam kallëzuar zyrtarë të lartë, ish ministra e deputetë dhe këta të SPAK ma kthyen, nuk pranojnë këta të hetojnë”.
Këto biseda kanë ndodhur në prezencën e kolegëve Eni Ferhati, Edison Vatnikaj Keti Banushi dhe operatorëve të disa mediave si dhe punonjësve të gardës.
Jam takuar 5 vite më parë me zotërinë, më ka thënë “do digjem me benzin mes bulevardit”. Problemi i tij ishte me kreditë e përmbaruesit. Micro-kreditë kancerogjene ia kanë marrë lekët Palit, i kanë marrë shtëpinë, makinën, prona e tani ndoshta edhe shpirtin.
Edhe në atë kohë kam bërë detyrën time qytetare, duke e adresuar rastin. Dy javë më parë më ka telefonuar, më tha dua të të takoj, i thashë kur të duash në orët e paradites para Gjykatës. Në rregull tha, dhe sot u shfaq ashtu në atë gjendje.
Unë nuk u njoha nga mediat me Palin, e dëgjova Palin kur nuk kishte ende operacio e me mikro-kredira, dhe uroj që për të bëhet mirë.







