Gezime dhe Flamur Sula kanë rrëfyer në emisionin Verissimo (Itali) historinë tragjike të vajzës së tyre, Ilaria Sula, e cila u vra me thikë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson. Ai e pranoi krimin vetëm pasi fillimisht kishte fshehur trupin e vajzës dhe kishte inskenuar largimin e saj, duke dërguar mesazhe nga telefoni i Ilarisë te shoqet dhe prindërit e saj për të krijuar përshtypjen se ishte larguar me dëshirë.
“25 marsi 2025 ishte dita e fundit që kemi folur me Ilarian. Për ne, ajo është vrarë po atë ditë,” thonë prindërit, të bindur se vrasja ishte e paramenduar, ndryshe nga sa ka deklaruar autori në gjykatë. “Ai e kishte planifikuar gjithçka,” shprehen ata.

Prindërit e Ilarisë dhanë alarmin kur vajza nuk zbriti nga treni me të cilin duhej të kthehej në shtëpi nga Roma, ku studionte. Ata shkuan menjëherë në Romë dhe bënë denoncimin në polici, ku takuan edhe Mark Samsonin.
“Ai më tha: ‘Më vjen keq që jemi njohur në këtë situatë’. Më tregoi se nuk e kishte parë Ilarian prej një muaji sepse ishin ndarë. Unë e pyeta nëse kishte lidhje me zhdukjen dhe ai u betua mbi varrin e nënës së tij – që në fakt është gjallë – duke thënë: ‘Ilarias nuk do t’i prekja asnjë fije floku, unë e dua’,” rrëfen Flamur Sula.
Gjatë ditëve kur Ilaria rezultonte e zhdukur, Mark Samson dërgonte mesazhe nga telefoni i saj për të bërë të dukej sikur ajo ishte larguar me dëshirë. Ishte vëllai i saj, Leon, ai që arriti të gjejë vendndodhjen e telefonit, i cili rezultoi në shtëpinë e Markut. Kjo i çoi hetuesit drejt zbulimit të krimit dhe më pas drejt rrëfimit të autorit.
Trupi i pajetë i Ilaria Sulës u gjet më 2 prill në një valixhe të hedhur në një humnerë. Në pastrimin e vendit të krimit dhe fshehjen e trupit e kishte ndihmuar edhe nëna e Mark Samsonit, e cila tashmë ka pranuar një dënim me dy vite burg.
Prindërit e Ilarisë nuk i kanë pranuar kurrë kërkimfaljet e saj.
“Me çfarë guximi na kërkon falje pasi pastroi gjakun e vajzës sonë dhe e shkeli me këmbë gjakun e saj?” thonë ata.
Rrëfimi i nënës së Ilarisë është ndër më të dhimbshmit.
“Ashtu si e preka për herë të parë kur lindi, e sistemova me duart e mia ditën e fundit. Doja ta laja vetë, ta prekja trupin e saj. I thashë burrit: dua t’i blej një fustan princeshe për vajzën tonë, sepse ajo ishte princesha e shtëpisë. Shkova i bleva fustan dhe këpucë,” rrëfen mes lotësh Gezime.
Ajo shkon çdo ditë te varri i vajzës.
“Shkoj çdo ditë, ulem dhe i flas për ëndrrat që nuk arriti t’i realizojë. Ajo mezi priste të diplomohej. Sot është Ilaria ajo që më jep forcë të vazhdoj, jam këtu për të kërkuar drejtësi për të.”
Sot, për Gezimen dhe Flamurin, jeta nuk është më si më parë.
“Jeta jonë ka ndryshuar plotësisht. Ne nuk jetojmë më, ne mbijetojmë. Ecim përpara për djalin tonë Leon dhe për të marrë drejtësi për vajzën tonë Ilaria. Buzëqeshja nuk do të kthehet më në fytyrat tona, por Ilaria duhet të ketë drejtësi.”

