
Ndahet nga jeta aktori Ilir Shkurti, një nga figurat e njohura të jetës artistike të qytetit të Pogradecit dhe kinematografisë shqiptare, i cili spikati si aktor karakteresh në disa filma të Kinostudios.
I lindur më 30 dhjetor 1957 në Pogradec, Shkurti i përkiste brezit të aktorëve që kontribuan në skenën e humorit dhe teatrit lokal. Ai u bë i njohur për publikun përmes interpretimeve në Estradën e Pogradecit, ku solli role humoristike dhe karakteriale që u pritën me shumë dashuri nga publiku.

Përveç skenës së estradës, ai mori pjesë edhe në disa prodhime të kinematografisë shqiptare, mes tyre filmat “Rrethimi i vogël”, “Binarët”, “Ngjyrat e moshës”, “Shkëlqim i përkohshëm” dhe “Kush vdes në këmbë”, duke u bërë pjesë e brezit të artistëve që kontribuan në filmat e periudhës së Kinostudios shqiptare.
Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humb një tjetër aktor të karaktereve, ndërsa kujtimi dhe rolet e tij do të mbeten pjesë e memories së publikut dhe skenës shqiptare. Versus.al mëson se aktori i njohur kishte disa kohë që vuante nga sëmundje kardiovaskulare të cilat u bënë shkak që javët e fundit ai të ishte i shtruar në spital, por pavarësisht ndihmës së specializuar mjekësore që mori, Ilir Shkurti nuk ja doli në përballje me vdekjen. Pushofsh në paqe artist!


