AKTUALITET /

I dënuar nga GJKKO, Safet Gjici kërkesë për t'u shtruar në spital, zbulohet arsyeja

Shkruar nga Versus
I dënuar nga GJKKO, Safet Gjici kërkesë për t'u shtruar
Safet Gjici

Safet Gjici i është drejtuar nga burgu Gjykatës së Elbasanit me kërkesën për t’u liruar.

Çështja i është caktuar gjyqtares së Elbasanit Suela Lika, e cila ka njoftuar palët për seancën që do të mbahet në datën 14 tetor.

Në kërkesë, ish-kryebashkiaku i Kukësit, nuk ka dhënë asnjë shkak se cilat janë arsyet që duhet të lërë burgun.

Por në një investigim të kryer nga Anila Hoxha, rezulton se menjëherë pasi ka paraqitur kërkesën Gjici ka bërë kërkesë për të shkuar në spital, që dyshohet se do ta përdorë si kartë për të lënë burgun për shkaqe shëndetësore.

Shumë të burgosur kanë përdorur këtë truk më herët, por me ndryshimet e reformës në drejtësi, gjendja shëndetësore e të dënuarit nuk është një argument për të lënë burgun.

Safet  Gjici u dënua në qershor përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg, për aferën seksuale në zyrën e bashkisë, për të cilën u prangos më 24 qershorin e vitit 2023.

Apeli i Posaçëm ndryshoi vendimin e shkallës së parë, që e kishte dënuar Gjicin me 3 vite burg për shpërdorim detyre, dhe ka dhënë dënimin tashmë me formë të prerë me 4 vite e gjysmë për veprën penale të  “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar Gjicit do t’i duhet të vuajë 3 vite burg gjithsej, ndërsa duke llogaritur paraburgimin i mbeten edhe 1 vit e 3 muaj./Versus.al

 

Poll