
Pavarësisht ofertës së bërë nga Ilir Beqaj për të lënë 50 milionë lekë të vjetra si garanci pasurore në këmbim të hetimit të tij në gjendje arresti shtëpie, kjo kërkesë nuk është pranuar nga apeli i GJKKO që ka vendosur ta lërë në qeli ish-ministrin e Shëndetësisë të arrestuar më 4 korrik të këtij viti për abuzim me fondet e BE gjersa drejtoi agjencinë e ndihmave të huaja.
Gjithashtu në qeli u la edhe krahu i tij i djathtë Ermal Kurtulaj i cili po ashtu ofroi garanci pasurore në këmbim të lirimit nga qelia.
Ndërkohë për të tjerët, u lanë në fuqi masat e caktuara më herët nga GJKKO nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtarinë e abuzimit me fondet e huaja. Kokretisht:
Arrest shtëpie
Biznesmeni Gazment Haxhia, akuzohet se bashkëpunoi me Beqajn në skemën e krijuar nga ky i fundit për të përvetësuar fonde të agjensisë që drejtonte nëpërmjet pagesave fiktive për biznese të cilat nuk kryenin asnjë shërbim ndaj agjensisë dhe paratë që paguheshin nga SASPAC tërhiqeshin dorazi me ndihmën e krahut të tij të djathtë të Beqajt, Ermal Kurtulajt.
Alfred Balla, një prej punonjësve të SASPAC i cili me veprimet e tij dyshohet se u ka ardhur në ndihmë Beqajt dhe Kurtulajt në skemën e ngritur me abuzimin e fondeve.
Detyrim paraqitje:
Elton Marini, pronar i një prej bizneseve që dyshohet se preu fatura fiktive ndaj SASPAC.
Bledar Leka i cili ka lëshuar një faturë me vlerë 20,000 euro për llogari të “Eusair Facility Point” dhe është kapur në përgjime me vartësin e sekserin e Ilir Beqes, Ermal Kurtulaj.
Bjona Ziaj, një prej administratoreve të subjekteve që dyshohet se ka lëshuar fatura fiktive ndaj SASPAC.
ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj akuzohet për korrupsion pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit dhe shkeljes së barazisë në tender. Rezulton se Beqaj në mënyrë të jashtëligjshme ka paracaktuar fituesit në të paktën 8 procedura të tenderimit. Gjatë seancës në GJKKO ai mohoi akuzat ndaj tij, ndërsa avokati Ermal Yzeiraj akuzoi SPAK-un se e kishte këtë një çështje personale me Beqajn për të justifikuar dështimet me çështjet e tjera hetimore. Versus.al







