Shantazhet në rrjetet sociale vijojnë të mbeten një problem i madh mes sfidave që ka shteti sa i takon edukimit të brezit të ri.
Së fundmi një tjetër rast shantazhi është zbuluar në Tiranë ku tre adoleshentë, dy prej tyre të mitur, i kanë marrë 300 mijë lekë të reja një vajze 15 vjeçare të cilën e kërcënonin se do i publikonin fotot në rrjetet sociale.
Në pranga kanë rënë 19 vjeçari Orgito Nika dhe 2 djem nën moshë, konkretisht 17 dhe 14 vjeç të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin arritën t'i merrnin vajzës së mitur shumën e majme të parave.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, bazuar në kallëzimin e marrë se një 15-vjeçare kanosej nga 3 shtetas për dhënien e pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blackmail”.
Si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi Orgito Nika, 19 vjeç dhe dy shtetas të mitur të moshës 17 vjeç dhe 14 vjeç, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie pasurie”, të 3 banues në Kamëz.
Keta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur një shtetase të mitur, nëpermjet një foto personale, të cilës i kanë marrë në kohë të ndryshme shumën, rreth 300 000 lekë të rinj. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 celularët e të arrestuarit"- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Versus.al








