Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të dënuar me burgim të përjetshëm, Plarent Dervishajn, të njohur si një prej ish-anëtarëve të bandës së Durrësit. Po ashtu edhe Julian Meçe i cili dyshohet si një prej personave që hapi zjarr në atentat, u dënua me 35 vite burg.
Dervishaj dhe Meçaj u ekstraduan në vitin 2024 nga Dubai dhe u gjykuan në Shqipëri për atentatin e ndodhur në vitin 2019 ndaj ish-prokurorit, sot deputetit Arjan Ndoja. Në atë ngjarje mbeti i vdekur Andi Maloku, shoferi i Ndojës ndërsa u plagos Aleksandër Laho ose "Rrumi i Shijakut" i cili ndodhej gjithashtu në makinë. Urdhri u dha nga Plarent Dervishaj, ndërsa qitësit kanë qenë Julian Meçe dhe Redjan Rraja i cili është dënuar më herët me burgim të përjetshëm.
Deputeti i PD ka mohuar që të ketë patur kontakt të mëparshëm me personazhin e botës së krimit "Rrumin e Shijakut" i cili së fundmi u shpall në kërkim për skandalin e falsifikimit të dokumenteve për përvetësimin e pronave në Durrës.
Dervishaj është edhe në një tjetër proces gjyqësor ku akuzohet si një prej krerëve të një grupi që trafikoi disa ton kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Emri i tij u përmend edhe nga i penduari i drejtësisë, Erion Alibej i cili zbërtheu aktivitetin kriminal. Versus.al

