AKTUALITET /

Atentati në Bushat, ja 3 personat që hapën zjarr ndaj Audi-t të blinduar. Dëshmitë me pikëpyetje që konfuzojnë policinë

Ende pa të arrestuar për këtë ngjarje, burime për Versus.al bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim dy vëllëzërit Aleksandër dhe Andrea Prendi si dhe shtetasi Pjetër Dragoti, persona me precedent të mëparshëm penal

Shkruar nga M.H
Atentati në Bushat, ja 3 personat që hapën zjarr ndaj Audi-t
"Audi" i braktisur në vendngjarje

Një ngjarje e rëndë u shënua në Vaun e Dejës më 23 gusht ku dy grupe u përplasën me njëri-tjetrin me armë zjarri.

Ende pa të arrestuar për këtë ngjarje, burime për Versus.al bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim dy vëllëzërit Aleksandër dhe Andrea Prendi si dhe shtetasi Pjetër Dragoti, persona me precedent të mëparshëm penal.

Personat në fjalë janë të dyshuar si autorët që hapën zjarr ndaj një automjeti tip “Audi” të blinduar që u gjet nga policia në vendin e ngjarjes.

Në automjetin luksoz të braktisur po lëviznin dy persona të cilët janë paraqitur në polici për të dhënë deklaratat e tyre, pavarësisht se hetuesit kanë dyshime të mëdha se mjetin po e drejtonte një i shumëkërkuar i policisë, i identifikuar si Eljo Hato.

Sakaq, mbeten ende të pazbuluar emrat e personave që kanë dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me ngjarjen, teksa u lanë të lirë pas disa orësh.

Deklaratat e tyre janë vlerësuar nga hetuesit si të dyshimta.

Sipas burimeve për Versus.al mësohet se prezenca e mundshme e Eljo Hatos në vendin e ngjarjes dhe që ai të mund të ketë qenë objektivi, nuk përjashtohet si pistë dhe po kryhen verifikime intensive, por që deri më tani nuk ka provë bindëse.

Pra deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që i shpalluri në kërkim Eljo Hato të ketë qenë në vendngjarje.

Gjithashtu po kryhen hetime edhe për të provuar nëse dy deklaruesit e vetë-ofruar për të treguar ngjarjen, kanë qenë ose jo të pranishëm në momentin e të shtënave me armë.

Hetuesit janë të bindur se ka patur shkëmbim zjarri mes vëllezërve Prendi dhe shtetasit Pjetër Dragoti, me grupin tjetër, por që është mohuar nga dyshja që pretendon se ka qenë në “Audin” luksoz, të jetë qëlluar nga ana e tyre ndaj personave që iu kanë bërë pritë./ Versus.al