Gjykata e Apelit ka vendosur të heqë masën e pezullimit nga detyra për katër efektivët e njësisë "Shqiponja" në Shkodër, Blerim Kurmetaj, Viktor Logu, Juljan Sterkaj, dhe Marta Martini të cilët dyshohen se nuk kanë ndërhyrë në rastin e një personi të paidentifikuar, i dyshuar si Ibrahim Lici, i cili ishte i përfshirë në masakrën e ndodhur më 30 tetor 2024, ku humbën jetën katër persona, përfshirë dy qytetarë të pafajshëm.
Gjithashtu, Apeli ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkodrës, duke hequr masën e ndalimit për të udhëtuar jashtë vendit për këta efektivë. Tani, ata do të hetohen në gjendje të lirë, me një masë sigurie që kërkon detyrim paraqitjeje.
Arrestimi i dy policëve patrulle dhe dy efektivëve të njësisë "Shqiponja" u realizua më 20 nëntor 2024 nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore (AMP), pasi dyshohen se nuk siguronin vendin e ngjarjes për t'i shoqëruar personat për verifikim.
Hetimi nga AMP për këtë çështje nisi pas publifikimit të një videoje, e cila tregonte një individ, i dyshuar se është Ibrahim Lici, pranë trupit të pajetë të vëllait të tij, Hamza Lici, ku pranë tij ndodhej gjithashtu edhe një efektiv i njësisë "Shqiponja."
Një person tjetër, i cili ndodhej në mesin e viktimave dhe kishte pësuar lëndime me dy plumba gjatë masakrës në Dobraç, mbetet akoma misterioz. Ka dyshime se ai mund të ketë qenë shënjestra kryesore e atentatorëve dhe se mund të ketë lëvizur nga Shkodra drejt jugut të vendit për të marrë trajtim mjekësor./Versus.al







