AKTUALITET /

I pandehur për tenderat e komisariateve, deputeti i PS Plarent Ndreca shkon në SPAK

Ndreca akuzohet për shkelje të barazisë në tenderat për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës kur ka qenë sekretar i ministrisë së Brendshme.

Shkruar nga Versus

I pandehur për tenderat e komisariateve, deputeti i PS Plarent Ndreca shkon

Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca është paraqitur sot në SPAK për herë të parë pasi u mor i pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tenderat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend.

Ndreca u mor i pandehur më 25 tetor, ndërsa ishte avokati i tij ai i cili u paraqit në SPAK për të marrë aktet hetimore ndaj deputetit.

Gjatë kohës që dyshohet se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, Ndreca ushtronte detyrën e tij si sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Brendshme nga korriku 2019 deri në shtator të 2020-ës. Për këtë tender, SPAK u vu në lëvizje pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit duke qenë se institucioni kishte dyshime se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe komisariatit nr.4 në Tiranë. Me ndërhyrje të tilla Ndreca akuzohet se ka cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.

Ndreca u betua si deputet në Kuvend, në janar të këtij viti pasi zëvendësoi mandatin e lënë bosh nga ish-kryeministri Arben Ahmetaj i cili prej korrikut të vitit të kaluar është shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsion, fshehje pasurie dhe veprime të dyshimta me 3 inceneratorët. Versus.al

Poll