
Pavarësisht se është ndër të paktët zyrtarë të clët është hetuar në gjendje të lirë nga SPAK, deputeti socialist Plarent Ndreca nuk ka denjuar të paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’iu komunikuar akuza mbi veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderat e rikonstruksionit të 4 komisariateve të vendit.
Ka qenë avokati Ermal Yzeiraj ai i cili është paraqitur në SPAK këtë të premte për të tërhequr aktet hetimore të prokurorëve mbi përfundimin e hetimeve. Yzeiraj pranoi për mediat se kishte prokurë të posaçme për të përfaqësuar Ndrecën në komunikimin e akuzës që i është bërë.
Gjatë gjithë javës, në SPAK janë paraqitur për tu njohur me përfundimin e hetimeve një sërë zyrtarë që janë marrë me procedurat e tenderit për rikonstruksionin e komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr.4 në Tiranë. Kallëzimi në SPAK për këtë rast është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi institucioni dyshonte se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për tenderat mbi ndërhyrjen në 4 komisariatet.
Kujtojmë se gjatë mbledhjeve të komisionit hetimor të Shëndetësisë, deputetja Albana Vokshi ia ka përmendur shpesh Ndrecës se mund të ketë radhën për t’u marrë si i pandehur nga SPAK për shkeljet që ka bërë gjatë kohës kur ka qenë sekretar i Ministrisë së Brendshme kur dikasterin e drejtonte Sandër Lleshi. Ndreca ka shërbyer në këtë pozicion nga korrik 2019 deri shtator 2020. Versus.al







