Tiranë- Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Julian Gjoshin, 26 vjeçarin i cili më 1 dhjetor ekzekutoi me armë zjarri Alfred Dedjan teksa ky i fundit konsumonte drekë në një lokal në Ndroq.
Gjithashtu gjatë seancës u miratua kërkesa e avokatit mbrojtës të Gjoshit, i cili kërkoi kryerjen e ekspertimit psikiatrik pasi pretendon se autori është përdorues droge. Në këtë mënyrë do të përcaktohet nëse 26 vjeçari ka qenë nën efektin e drogës në momentin kur ka kryer vrasjen.
Vetë autori nuk dha asnjë deklaratë gjatë seancës në gjykatë, por ditë më parë pasi u vetëdorëzua në polici deklaroi se viktima Alfred Dedja e kishte ofenduar vazhdimisht dhe krimin e kishte kryer në rrethana të rënda psikologjike.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës në lokalin “Kështjella” në Ndroq ku viktima së bashku me disa të njohur të tij po konsumonin drekë. Julian Gjoshi ka hyrë i vetëm në lokal. Në momentin kur 50 vjeçari shkoi t’i jepte dorën, Gjoshi pa e nxjerrë pistoletën nga xhupi, e qëlloi gjakftohtësisht me 2 plumba.
Dëshmitarët mbetën të shokuar nga ngjarja, ndërsa autori me të kryer krimin hipi në mjetin e tij tip “Benz ML” dhe u nis drejt Durrësit. Arratia e tij zgjasi për disa orë, ndërsa vendosi të vetëdorëzohej pasi policia gjeti mjetin e braktisur në Shkëmbin e Kavajës. Ndërkohë ende nuk është gjetur arma e krimit dhe grupi hetimor pritet të dërgojë në vendngjarje vetë autorin i cili deklaroi se pistoletën e kishte hedhur në shkurret pranë lokalit ku ndodhi krimi.
I riu që kreu krimin, është kunati i kreut të klanit “Hajri” në Shijak, të shumëkërkuarit Altin Hajri i cili në përgjimet e zbardhura në Sky Ecc i kërkonte ish-deputetit Jurgis Çyrbja të ndërhynte për të liruar Julian Gjoshin i cili ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Versus.al







