
Në gjyqin për dosjen “Plumbi i Artë”, i pandehuri Petrit Qoli u pyet nga prokurorët për aktivitetet e tij ekonomike dhe familjare, duke shpjeguar burimet e pasurisë së tij dhe lidhjet familjare.
Qoli deklaroi se nga viti 2002 deri në 2013 ka qenë kapiten anijesh peshkimi, pronar i anijeve “Dibra” dhe “Sazani”, dhe paralelisht është marrë me ndërtim, duke ngritur rreth 8-9 pallate dhe xhaminë në Rruzhbull.
Ai tregoi se idenë për ndërtim e mori nga kushëri i tij, Mustafa Laço, dhe filloi me 300 mijë marka të grumbulluara nga peshkimi, duke ndërtuar së pari pranë gropës arkeologjike mbrapa Pallatit të Kulturës.
Familja dhe bizneset
Gjatë dëshmisë, Qoli sqaroi pasurinë e vëllait Festim Qoli, i cili kishte pesë biznese si bar-kafe, palestër dhe lokal dasmash, si dhe tregtonte makina të dubluara me miq italianë.
Ai përmendi edhe Agron Qolin, djalë xhaxhai, ndërtues të pavarur, dhe vajzën bullgare të Festimit, e cila tregton inerte ndërtimi dhe ka pasaportë angleze.
Qoli u shpreh se nuk ka punuar bashkë me ta dhe se Festimi është “fatkeqësi për familjen”.
Prokurori Behar Dibra pyeti për pretendime pronësie dhe hipotekat, ku Qoli u përgjigj se ka hipotekuar të gjitha apartamentet dhe ka qenë gjithmonë i pranishëm në chantier, duke u quajtur veten “autodidakt”.
Ai përmendi gjithashtu lidhje me Laertin e Palma Novës, por raportin e tyre e krahasoi me “Tomin dhe Jerryn”.
Dëshmia:
Qoli: Nga 2002 deri në 2013 kam patur anije peshkimi, kam punuar si kapiten anijeje. Anija Dibra dhe Sazani. Më vjen turp ta them por kam edhe fakultet juridik, te Kristali. Ndërkohë kam bërë dhe 9 pallate, jam marrë edhe me ndërtim.
Behar Dibra: Idenë për ndërtimtari, nga e more?
Qoli: Kam kushëri Mustafa Laçon. Është ndërtues, duhet të jetë 80 vjeç. I thashë kam 300 mijë marka. Ndërtimin e parë e kam bërë te gropa arkeologjike, mbrapa Pallatit të Kulturës.
Behar Dibra: Ku i gjetë këto lekë?
Qoli: Nga peshkimi, kam patur gjithmonë anije të thashë. Kam një vëlla që mos e paça, Festim Qoli. Edhe motër, Rezana Qoli.
Behar Dibra: Ndërkohë që ju merreshit me peshkim vëllai me çfarë merrej?
Qoli: Kishte 5 biznese, bar kafe palestër. Unë ia kisha ndërtuar. Festimi ka qenë mjeshtër për makinat e vjedhura. Gjithmonë është marrë me tregti makinash, të dubluara. Kishte shumë miq italianë. Më pas u shtrëngua puna. Ku e di unë ku i njohu italianët. Kisha blerë një truall në Rruzhbull.
Behar Dibra: Kush është Agroni?
Qoli: Agron Qoli është çuni xhajës tim. Është djalë model, pas meje, por nuk e kam shok. Merret me ndërtimtari. Nuk kemi punuar bashkë. Unë kam bërë 8-9 pallate. Edhe xhaminë në Rruzhbull. Me Festimin nuk kemi punuar, e kam vëlla, por është fatkeqësi për familjen tonë.
Behar Dibra: A kishte të ardhura Festimi?
Qoli: Unë nuk jam ekonomisti i Festimit, por kishte lokal dasmash, normale që kishte para.
Behar Dibra: Ke dalë jashtë shtetit?
Qoli: Po sigurisht, unë kisha anije. Unë di që Festimi ka një vajzë shumë të pasur bullgare. Di që ka edhe pasaportë angleze. Ajo është shumë e pasur, shet inerte ndërtimi. Nuk ishte e bukur… por.. nuk e di çfarë sheh Festimi tek ajo. Me Festimin shiheshim për iftare dhe për ditëlindje. Ka patur shoqëri me Laertin e Palma Novës. Sapo fillova unë duke ndenjur me të, u ftoh ai. Gjithmonë si Tomi me Jerry kemi shkuar.
Behar Dibra: Pretendime pronësie keni patur?
Qoli: Unë kam hipotekuar të gjitha apartamentet. Nuk hidhej beton pa qenë unë aty. Unë jam autodidakt. /Versus.al

