Sot pritet të mbahet seanca ndaj oficerëve të arrestuar të cilët dolën në bisedat në aplikacionin SkyEcc duke komunikuar me njerëzit të botës së krimit.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha oficeri i policisë Shkëlzen Ruska është identifikuar si përdorues i këtij aplikacioni pasi ka qenë duke komunikuar me të kërkuarin Kristo Qirici, kreu i një grupi kriminal i njohur ndryshe edhe si Jetmir Qirici (Hoxha).
Oficeri në një rast kërkon ndërhyrjen e Qiricit nëse njihte ndokënd tek spitali infektiv pasi po dërgonte me urgjencë të atin i cili ishte prekur nga covidi. Ditë më vonë pasi i ati i ndërron jetë oficeri ngushëllohet nga Qirici.
Në vazhdën e ndihmave qe oficerët kanë ofruar është ajo e këshillimit që grupi të gjente lidhje pranë Shik sepse siç shkruan në Sky Ecc një tjetër oficer policie “në 2016 dëmi për drogën kur u kultivua e bëri Shik sepse dërgonte informacione në polici dhe policia s’kishte çfarë të bënte”
Edhe shefi i policisë Elvis Dervishi që është identifikuar si përdorues i Sky flet me Qiricin dhe në biseda ata flasin për të ndërhyrë që oficeri të ngrihet në detyrë. Ndërsa ish shefi i Sarandës Eljon Alushaj komunikon po në Sky në datën 17 shtator 2020, ditë në të cilën forcat Shqiponja ndalojnë shtetasin Xhino Nebi. Ky shtetas ia lë armën kushëririt të tij mosha 15 vjeç.
“Kanë kapur Xhin le ta mbajë ai i vogli 15 vjeç e ta nxjerrin Xhin, i thamë nxirre. Kishin bërë postbllok nëntë veta të Shqiponjave tek Spitali”.
Më pas i njëjti oficer i shkruan duke e njoftuar “Doli Nojzi”.
Efektivët u zbuluan se ishin pjesë e grupeve kriminale falë zbardhjes së përgjimeve në Sky Ecc ku janë siguruar disa momente kur kanë ndërhyrë në favorizimin dhe kryerjen e veprimtarive kriminale.







