AKTUALITET /

Kapet mashtruesi i 2.5 milionë eurove në Rinas!

Shtetasi italian i shpallur në kërkim nga Franca tenton të fshihet në Shqipëri

Shkruar nga Versus
Kapet mashtruesi i 2.5 milionë eurove në Rinas!
Foto ilustruese


Policia Kufitare e Rinasit ka arrestuar një shtetas italian, 61 vjeç, i shpallur në kërkim nga autoritetet franceze, gjatë një verifikimi rutinë në hyrje të Shqipërisë. Operacioni është pjesë e aksionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Shtetasi V.C. rezulton i dënuar nga Gjykata e Parisit në vitin 2024, me 2 vjet burgim për mashtrim në kuadër të një grupi kriminal dhe pastrim parash. Hetimet kanë zbuluar se ai ka shkaktuar dëm rreth 2.5 milionë euro ndaj shtetit francez, duke shmangur TVSh-në gjatë transaksioneve të disa kompanive franceze në vitin 2009.

Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me homologët në Francë për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij. Arrestimi vjen si rezultat i verifikimeve të detajuara në kufi, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe lëvizjeve ilegale të personave të shpallur në kërkim.

NJOFTIMI 

PKK Rinas/Vijon operacioni ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.

I shkaktoi shtetit francez, rreth 2.5 milionë euro dëm, duke shmangur TVSh-në gjatë transaksioneve të disa kompanive franceze, kapet gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri, 61-vjeçari nga Italia.

Gjatë verifikimeve të detajuara në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiv parandalimin e paligjshmërive në kufi, si dhe lëvizjen ilegale të shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas kanë konstatuar se një shtetas që synonte të hynte në Republikën e Shqipërisë, ishte aktualisht në kërkim nga autoritetet franceze.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të operacionit “The Wanted”, bënë ndalimin, me qëllim ekstradimin në Francë, të shtetasit italian, V. C., 61 vjeç.

Nga verifikimet rezultoi se Gjykata e Parisit, në vitin 2024, e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, për mashtrim të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ishte pjesë e një zinxhiri tregtarësh që qarkullonte kuota ndërmjet kompanive franceze, gjatë vitit 2009, duke shmangur TVSh-në. Gjithashtu, ka rezultuar se ky shtetas ka pastruar fitimet e kësaj veprimtarie kriminale.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Francë, për ta finalizuar procedurën për esktradimin e këtij shtetasi.

Poll