Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kombinimi”, zhvilluar nga Komisariati Nr. 2.
Në pranga ka përfunduar M. P., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për mbajtje pa leje të armës së zjarrit dhe shpërndarje të kokainës në doza.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan:
Një armë zjarri pistoletë, e fshehur në depozitën e ujit;
Rreth 135 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza të vogla;
Sasi municioni luftarak.
Sipas të dhënave nga hetimet paraprake, 35-vjeçari dyshohet se siguronte lëndën narkotike, e ndante në doza dhe e shiste në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjithashtu, gjatë operacionit dhe hetimeve që pasuan, u zbuluan edhe episode dhune, ku i arrestuari, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me qytën e armës një shtetas tjetër, S. I., duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.







