AKTUALITET /

“Kemi frikë nga kolegët”, polici i Shkodrës trondit me rrëfimin: Na shesin te kriminelët

Shkruar nga Versus

“Kemi frikë nga kolegët”, polici i Shkodrës trondit

Dekonspirimi i operacioneve mbetet një problem shumë i madh për policinë e shtetit pasi lajmi i aksionit u shkon “kokave” të krimit fillimisht duke bërë që këta të fundit të arratisen. Një problem të tillë, e kishte ngritur më herët edhe kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit të tij për punën e institucionit që drejton.

Por së fundmi, në një rrëfim të bërë në “Inside Story” në TCH, një prej punonjësve të policisë të Shkodrës në anonimitet të plotë ngre akuza tepër të forta për policët e zonave të këtij qarku. Sipas tij, janë pikërisht këta të fundit që shesin kolegët e tyre dhe u japin informacione kultivuesve të drogës për grupin e policëve që asgjësojnë bimët narkotike.

“Një SPZ ka informacion për çdo gjë që ndodh në zonën që mbulon, qoftë ndërtim pa leje, qoftë person në kërkim, qoftë dhe parcela me kanabis. Një SPZ mbron personin në kërkim duke i thënë ik se sot do vijmë kontroll banese, mos dil se ka kontrolle deri dhe mbille këtu se nëse të vjen avioni, me koordinatat e Guarda di Finanza, t’i shkulim 10 bimë e t’i bëjmë foto dhe pjesën tjetër mbaje. Një polic me 6 muaj punë nuk e njeh zonën, nuk e njeh territorin dhe nuk ka gjë në dorë, por shiten dhe çohen viktima duke u bërë mbulesë, mashë, për tradhtarët e vërtetë”, u shpreh polici.

Ai tha se duhet të ruhen nga vetë kolegët e tyre pasi u japin informacione grupeve kriminale se ku banojnë dhe çdo lëvizje të tyren.

“Kemi frikë nga kolegët. Frikë nga frikacakët që për të kërcënuar punonjësit e policisë terrorizojnë familjet tona. Çfarë faji kanë familjet tona? Kemi frikë nga ato fytyra, kolegë, që të nesërmen e atentatit vijnë e të qurraviten duke na ngushëlluar, ndërsa një ditë më pare na kanë shitur te kriminelët duke i dhënë informacione se ku banojmë, ku pimë kafe madje dhe itinerarin se ku lëvizim”, shtoi më tej efektivi.

Qarku i Shkodrës mbetet ndër më problematikët sa i takon pushtetit të bandave kriminale. Jo më larg se pasditen e djeshme, një atentat me armë zjarri me qëllim vrasjen e Hamza Licit, u mori jetën edhe 2 personave të tjerë, duke shkaktuar masakër me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur rëndë. Versus.al

Poll