Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat arrest në burg për 10 të arrestuarit në kuadër të një operacioni kundër trafikimit të kokainës nga Republika Domenikane dhe Brazili drejt Shqipërisë.
Të gjithë të pandehurit kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk janë përfshirë në trafikun e drogës. Por ndryshe pretendon SPAK, që thotë se disponon pamje filmike, përgjime telefonike dhe ambientale. Dosja e trafikantëve të kokainës ka patur si indicie procedimin penal për laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, ku pranë banesës së Viktor Çervanakut, një ish-funksionari vendor socialist, u zbuluan 485 kg kokainë e fshehur në plehra kimik. SPAK ra në gjurmët e një tjetër rrjeti të strukturuar kriminal, duke ndarë fraksionin në vete, ku gjatë hetimeve janë ndjekur metoda proaktive.
Ndërkohë, në seancën gjyqësore për vlerësimin e masave, dy nga të arrestuarit që SPAK i çuan ekspertë të përpunimit të kokainës, thanë se ndodheshin në Shqipëri për tregti rrobash, turizëm dhe ndërhyrje estetike, ku njëri u përpoq të sillte prova se disa kohë më parë për të njëjtin qëllim ka vizituar Turqinë.
Bashkombasi i tij venezuelian tha se është prangosur pa asnjë shkak vetëm se u gjend duke konsumuar drekë me të arrestuarit e tjerë. Ndërkohë kolumbiani tha se nuk do të flasë asgjë përderisa “ende deri më tani familja ime nuk është në dijeni ku jam dhe ç’ka ndodhur me mua. Kam ardhur në Shqipëri për të mbjellë flokët”.
SPAK vijon kontrollin e imtësishëm të tonelatave lëkurë gjedhi të kriposura që erdhën në Shqipëri nga Amerika Latine, me dyshimet se janë përdorur si kamuflim të fshehjes së kokainës ndërsa dy venezuelian dhe një kolumbian dyshohet se do bënin nxjerrjen prej tyre të përmbajtjes narkotike. Një laborator droge u gjet në operacionin e të shtunës në mbrëmje në Qerekë të Fush-Krujës dhe dy ambjente të tjera ndihmëse në Tiranë e Durrës. Dyshohet se drejtues të këtij grupi trafikantësh janë, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Geis Fejsullai dhe Kladi Birçe. Deri më tani SPAK ka arritur të gjejë vetëm rreth 6 kg kokainë, vlera të konsiderueshme monetare e sende të tjera ndihmëse për hetimin i cili u krye në koordinim me DEA-n amerikane dhe agjenci të tjera partnere.Versus.al
Arrest në burg:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
5- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
8-Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
9-Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
10-Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian







