Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia greke pas zbulimit të një ngarkese droge prej 210 kilogramësh kokainë në Portin e Pireut.
Në pranga kanë rënë Jasona Mërkuri, 48 vjeç, Marsel Stafaj 36 vjeç si dhe bashkëpunëtori i tyre grek, Ioannis Biglakis 64 vjeç.
Jasona Mërkuri rezulton i shpallur në kërkim nga policia greke që prej marsit të vitit 2017 si financues dhe organizator i një laboratori të drogave sintetike “Captagon” ose të njohur ndryshe si “droga xhihadiste”.
Mërkuri përdor dhe identitetet Andrea Mërkuri dhe Azdren Muharremi. Ndërsa rezulton se ka përdorur më para pasaportë serbe. Mërkuri ështe biznesmen që zotëron dyqan me veshje në Shqipëri dhe autobus turistik në Greqi. Në vitin 2008 me automjetin e tij është arrestuar nga policia turke kunati i tij, në tentativë për të trafikuar 22 kg heroinë nga Turqia në Greqi. Kunati është arrestuar më pas edhe gjatë operacionit të vitit 2017.







