AKTUALITET /

“Konflikt interesi”, Irena Gjoka dorëhiqet nga dosja “Toyota Yaris” me 4 të pandehur

Shkruar nga Versus

“Konflikt interesi”, Irena Gjoka dorëhiqet nga dosja

Gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes “Toyota Yaris” ku të pandehur janë marrë ish-kreu i prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, ish oficerja gjyqësore Erjona Daupaj dhe avokatët Radovan Çela e Astrit Vladi.

Gjoka ka shqyrtuar më herët çështjen e sekuestrimit të pasurive të të shumëkërkuarit Suel Çela. Kjo është një prej pikave që rëndon ndaj të pandehurve të cilët në Sky Ecc kanë diskutuar edhe për mënyrën sesi të ndikonin në sistemin e drejtësisë për të liruar pasuritë e Suel Çelës.

Për këtë arsye, gjyqtarja e ka vlerësuar se është në konflikt interesi dhe se mund të jetë dëshmitare në procesin gjyqësor për të pandehurit.

Zëvendësi i saj në këtë çështje është përcaktuar me short gjyqtari Erjon Çela. Çështja u quajt “Toyota Yaris” për shkak të shumës prej 3.4 mln euro të ndarë në dy makina të tilla.

Procesi i gjatë gjeti fajtor njërin prej kushërinjve Vladi për trafikimin e parave që dyshohet se vinin nga aktiviteti kriminal. Ndërsa në paraqitjen e kaluar para SPAK, kryedemokrati Sali Berisha lexoi përgjime të cilat sipas tij janë bërë mes të pandehurve të dosjes ‘Toyota Yaris’ ku përmendet edhe ministri Taulant Balla. Versus.al

Poll