
Prezenca e OSBE-së në Tiranë publikoi gjetjet dhe rekomandimet e vlerësimit të saj mbi të drejtat e njeriut të personave të moshuar, me fokus në aksesin në shërbime dhe ndikimin e digjitalizimit.
Raporti thekson prirjet kryesore, sfidat dhe rekomandimet për forcimin e zbatimit të politikave, ofrimit të shërbimeve, përfshirjes digjitale dhe bashkërendimit institucional.
Në gjetje theksohet se nevojiten përpjekje të vazhdueshme dhe të bashkërenduara për të ngushtuar hendekun midis politikave dhe praktikës, pasi rreth 20% e popullsisë në Shqipëri i përket moshës 65 vjeç e lart.
“Me gati 20 për qind të popullsisë të moshës 65 vjeç e lart dhe me gratë e moshuara që përbëjnë shumicën, është thelbësore të sigurohet që politikat publike dhe shërbimet t’u përgjigjen në mënyrë efektive të drejtave dhe nevojave në rritje të kësaj kategorie demografike. Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në krijimin e kuadrit ligjor dhe të politikave për të drejtat e të moshuarve. Megjithatë, nevojiten përpjekje të vazhdueshme dhe të bashkërenduara për të ngushtuar hendekun midis politikave dhe praktikës”,-tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së.
Vlerësimi, i realizuar nga shtatori 2024 deri në nëntor 2025, shqyrtoi aksesin e të moshuarve në shërbimet sociale dhe ndikimin e mjeteve dixhitale në të drejtat e tyre. Ai u mbështet në vizita në terren, konsultime, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe diskutime me autoritetet vendore dhe shoqërinë civile, në të 12 qarqet e Shqipërisë.

