Shifra të çmendura droge e parash duket se ka qarkulluar vitet e fundit grupi kiminal shqiptar në narkotrafik, i cili u godit të mërkurën e 25 shtatorit. Versus.al ka mësuar se ata kanë qarkulluar vetëm drejt Italisë rreth 2340 kg “mall”, kokainë e cilësisë së parë e ardhur nga Amerika Latina, ose e thënë ndryshe rreth 200 milion euro.
Hetimet e nisura 4 vjet më parë, nuk kanë vetëm 61 të dyshuar, por më shumë se dyfishin, plot 135 persona në një gjeografi, mes Italisë, Shqipërisë, Kinës, Zvicrës, Polonisë, Amerikës Latine etj dhe kanë qenë pjesë e hetimit të antimafias së Breshias.
Një grua, prokurorja Erika Battaglia dhe prokurori Francesco Milanesi kanë punuar për 4 vjet me “durim murgu” për të çmontuar bandën kriminale, e cila kishte dy degëzime të lidhura fort. Sipas hetuesve organizatorët dhe promotorët e këtij grupi ishin ishin shqiptarë. Këta të fundit janë bashkuar me klanin mafioz të Sacra Corona Unita në Brindizi, të cilët nga ana e tyre në bashkëpunim me mafiozë kinezë kanë krijuar një shoqëri tregtare, e cila dyshohet se ka falsifikuar dokumente për të “pastruar” shuma stratosferike parash.
Hetimi
Gjithsej 135 persona janë nën hetim nga Guardia di Finanza e Brescia - të koordinuar nga prokurorët antimafia të Brescia Erica Battaglia dhe Francesco Milanesi – hetim ky, i cili shkatërroi një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës që çoi në arrestimin e 61 personave.
Mes të arrestuarve është edhe përfaqësuesi i Sacra Corona Unita të Brindizit, Vincenzo Bruno si dhe arkëtari i klanit, të cilit iu sekuestruan gati një milion euro cash. Sacra Corona Unita ishin në kontakt me drejtuesit e grupit kriminal aktiv në Shqipëri që shiste kokainë, e cila importohej në Itali nga Holanda dhe Spanja.
“Dy grupe të ndryshme dolën dhe u bashkuan: një italo-kinez dhe një shqiptar. Ky i fundit menaxhonte drogën dhe i pari pastronte paratë”, shpjegoi komandanti provincial i Brescias i Guardia di Finanza Francesco Maceroni.
Maxi-hetimi antidrogë i kryer nga antimafia dhe nga Guardia di Finanza e Brescias, ka nxjerrë 61 urdhra parandalimi - midis Italisë, Shqipërisë, Zvicrës dhe Polonisë. Organizata dyshohet se ka pastruar fitimet e paligjshme përmes përmes një grupi kinez, rezident në Brescia si dhe përmes një sistemi "faturash për operacione që nuk ekzistonin". Kinezët duket se kishte "monezuar" fatura për operacione inekzistente për mbi 375 milionë euro. Ky mekanizëm u ka dhënë trafikantëve të drogës një avantazh të trefishtë në krahasim me sistemet më tradicionale të transferimit të parave të gatshme përmes transportit fizik ndërmjet kufijve: minimizimi i rrezikut për t'u zbuluar gjatë kontrolleve doganore dhe policore në rrugë, futja e të ardhurave nga krimi dhe kursimi i komisioneve për shkak të transfertat.
Ndaj personave nën hetim janë lëshuar urdhra për sekuestrim parandalues, me qëllim konfiskimin me barasvlerë, në vlerë totale mbi 60 milionë euro.
Grupi kriminal, me qendër në Shqipëri dhe me degë në Itali, importonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë, nëpërmjet rrugëve tregtare të transportit dhe më pas e çonte në Itali nëpërmjet Spanjës dhe Holandës, duke përdorur mjete të rënda. Sasitë e mëdha të kokainës do të ishin ruajtur për shpërndarje të mëvonshme në 5 baza operacionale, të vendosura kryesisht midis Brescia, Romano di Lombardia dhe Palazzolo sull'Oglio dhe në komuna të tjera në Italinë qendrore-veriore si Varese dhe Piza.
Gjatë veprimeve hetimore tashmë janë arrestuar në flagrancë 21 kriminelë dhe janë sekuestruar rreth 2 milionë euro e gjysmë cash, 5 pistoleta dhe municione përkatëse, 8 makina dhe 360 kg kokainë, e cila nëse do të dilte në treg mund të kishte sjell rreth 30 milionë euro fitim për dy gruper e bashkuara në një. Versus.al







