Kur ora ende nuk kishte shkuar 19:00, shtëllunga të mëdha tymi nxorrën kokën mbi pallatet e larta në hyrje të Shkodër.
Në vendin që thirret me emrin “Qafë Hardhi” një zjarr i madh kishte përfshirë një treg të rrobave të përdorura, ku shesin kryesisht banorë të komunitetit rom, por edhe të Shkodrës.
Zjarri ishte aq i furishëm sa e ka përfshirë menjëherë krejt tregun, duke mos lënë kohë për reagim, as banorëve, as policisë e as zjarrfikësve.
Brenda pak minutash i gjithë tregu u përfshi nga zjarri dhe tymi ishte aq masiv sa mbuloi krejt hyrjen e Shkodrës, duke u kthyer në problem dhe për banorët.
Ndërsa lufta me flakët kanë vazhduar disa orë, është dashur edhe ndërhyrja e zjarrfikësve nga Ulqini, Tivari, Lezha e Malësia e Madhe, sepse Shkodra, gjithë ky qytet, nuk kishte më shumë se dy makina zjarrfikëse.
Disa banesa janë djegur, duke nxjerrë në rrugë të madhe të paktën 5 familje.
Pas shuarjes së zjarrit do të nisin hetimet për të zbuluar shkaqet.
Menjëherë janë hedhur dyshimet se gjithçka ka qenë e qëllimshme. Kjo lidhet me faktin që për të larguar tregun nga aty dhe të ngulen pallate të reja.
Këtë e kanë pohuar edhe banorët e zonës dhe vetë tregtarët të cilët kanë humbur gjithçka kishin.
Në lidhje me zhvillimin e kësaj prone, banorët thonë se janë interesuar shumë personazhe edhe të "nëntokës" së Shkodrës.
Hetimet do të nxjerrin shkakun, pasi autorët vështirë se do të identifikohen ndonjëherë.







