Disa të rinj janë mbledhur para EULEX-it në Fushë Kosovë dhe po protestojnë në mënyrë paqësore, meqë aty po qëndron që nga dita e djeshme ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili u lejua të shkojë në Kosovë pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi.
Protestuesit po mbajnë në duar pankarta me mbishkrime “Liri për çlirimtarët”, “Drejtësi, jo politikë”.
Thaçi erdhi dje në Kosovë, fillimisht për të nderuar kujtimin e babait të tij tek varri i tij dhe më pas vizitoi shtëpinë e tij në Burojë, ku takoi nënën, motrën dhe gruan. Pas takimeve të sotme me familjen, ai pritet të qëndrojë deri në pasdite dhe më pas të niset drejt Hagës për të vijuar procesin e tij ligjor.







