
Shkodër- Detaje të reja janë publikuar lidhur me masakrën e Dobraçit të ndodhur pasditen e 30 tetorit, ku mbetën të vdekur 4 persona, Hamza Lici, Arlind Bushati (të dy shënjestra) dhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha, të pafajshëm të cilët u përplasën nga mjeti i drejtuar nga Lici.
Në foton e siguruar nga Versus.al, shihet mjeti tip “Range Rover” që u përdor për të kryer atentatin mafioz dhe më pas u shkrumbua me acid për të humbur gjurmën e lëna nga autorët. Mjeti luksoz rezulton të jetë vjedhur në Durrës, ndërsa hetimet kanë zbuluar se makina ka dalë nga shtëpia e Astmer Bilalit, ish-kampionit të boksit i cili njihet si anëtar i grupit Bajri. Bilali rezulton të jetë në burg që prej vitit të kaluar pasi u kap gjatë operacionit “Metamorfoza”.

Mes detajeve mësohet se policia ka dyshime se në makinën e viktimave ka qenë edhe i shumëkërkuari Ibrahim Lici. Dyshohet se ky i fundit është personi që shfaqet në pamjet e publikuara pas masakrës ku shihet që i ka duart me gjak. Policia ka kryer kontrolle në disa klinika private pasi dyshohet se Lici mund të jetë plagosur gjatë të shtënave me armë.
Hasmëria mes Astmer Bilalit dhe fisit Lici
Astmer Bilali, një prej anëtarëve të fisit Bajri njihet për hasmërinë e tij me familjen Lici në Shkodër pas vrasjes së babait dhe xhaxhait të tij, Astrit dhe Brahim Bilali në vitin 2019. Sipas policisë, Ibrahim Lici është autori kryesor i atentatit që la të vdekur biznesmenin Astrit Bilalin dhe vëllain e tij Brahimin në zonën e Livadheve.
Gjithashtu emri i ish-boksierit përmendet si një prej të dyshuarve për vrasjen e Ismet Çekores në shkurt të 2022-it. Po ashtu emri i tij është përmendur nga Fahrije Alija, nëna e Endri Mustafës i cili u vra në maj të vitit 2021. Sipas Alijas, Bilali është i përfshirë në vrasje dhe akuzoi asokohe prokurorinë e Shkodrës së po përpiqeshin t’ja faturonin vrasjen Ibrahim Licit. Versus.al







