AKTUALITET /

3.6 miliardë lekë dëm shtetit nga 'Albania Tabak' e lidhur me Ergys Agasin, ekstradohet i kërkuari për kontrabandën e cigareve (EMRI)

Emin Shabani akuzohet nga SPAK si pjesë e organizatës kriminale që kishte kontrabanduar cigare drejt vendeve të BE duke mos paguar akcizë ndaj shtetit shqiptar.

Shkruar nga Versus
3.6 miliardë lekë dëm shtetit nga 'Albania Tabak' e
Godina e "Albania Tabak" dhe paketa e cigareve të prodhuara të cilat transportoheshin në vende të ndryshme

Një 55 vjeçar i identifikuar si Emin Shabani është ekstraduar sot nga Kroacia pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK nën dyshimin e përfshirjes në një grup kriminal që kishte kontrabanduar cigare drejt shteteve të Bashkimit Europian.

Për Shabanin, Gjykata e Posaçme më 27 maj të këtij viti ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

55 vjeçari i lindur në Maqedoninë e Veriut akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë duke vepruar si organizatë kriminale kanë kontrabanduar cigare për të cilat paguhet akcizë. Duke e shmangur këtë pagesë, ata i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 366 milionë lekësh të reja.

Si funksiononte rrjeti kriminal

Në kuadër të operacionit të zhvilluar në maj të këtij viti SPAK mori nën hetim 36 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë doganash të cilët kanë bashkëpunuar për të justifikuar daljen fiktive të mallrave nga Shqipëria. Në sistemin doganor “Asycuda World” janë regjistruar të paktën 30 raste eksportesh të falsifikuara, ku ngarkesat në fakt nuk kanë dalë kurrë nga vendi.

Pjesë e kësaj skeme ishin edhe zyrtarë të doganave, të cilët jo vetëm nuk kanë shoqëruar ngarkesat deri në daljen nga territori kombëtar, por kanë lejuar edhe çlirimin fiktiv të tyre, duke e paraqitur mallin si të eksportuar.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është prodhimi i paketave të cigareve në kompaninë “Albania Tabak” pa pullë fiskale, gjë që ka sjellë shmangien totale të detyrimeve të pagueshme në vendet ku këto produkte përfundonin në mënyrë të paligjshme.

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e arrestit me burg për 6 persona përfshirë 2 pronarëve të fabrikës Ilir dhe Darjo Jashari dhe disa shtetas të huaj. Nën hetim janë marrë mbi 20 zyrtarë të doganave ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “ndalim i daljes jashtë vendit” dhe “detyrim paraqitje”. Më 29 korrik të këtij viti, SPAK sekuestroi pasuri me vlerë 9.3 milionë euro nën pronësi të grupit të kontrabandës së cigareve.

“Albania Tabak” dhe lidhja me biznesmenin “kontrovers” Ergys Agasi

Në korrik të këtij viti shoqëria “Albania Tabak Fabrika e Re e Cigareve”, e kontrolluar nga kompania mëmë “EA Tobacco” në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi u sekuestrua me urdhër të SPAK një javë pasi Agasi ishte paraqitur në Prokurorinë e Posaçme. Ky i fundit i bleu aksionet e kompanisë 'Albania Tabak' në shkurt të këtij viti. 

Në Librazhd prodhoheshin me miliona paketa cigare të markës egjiptiane “Kleopatra” dhe shpërndaheshin në Europë e më gjerë. Pavarësisht masave të sigurisë ndaj dhjetëra personave, SPAK nuk ka marrë asnjë masë sigurie ndaj Ergys Agasit në banesën e të cilit janë kryer edhe kontrolle. Versus.al

Poll