Në orën 19:00 të pasdites së sotme janë mbyllur zyrtarisht të gjitha qendrat e votimit në Shqipëri, duke shënuar përfundimin e procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare të këtij viti.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi ka vijuar përgjithësisht në mënyrë të qetë, megjithëse nuk kanë munguar raportimet për parregullsi, incidente të izoluara dhe tensione në disa zona. Deri në orën 18:00, pjesëmarrja në rang vendi ishte 41.84%, një shifër më e ulët në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, ku në të njëjtën orë përqindja ishte 45.48%.
Tashmë, fokusi kalon tek numërimi i votave, i cili pritet të nisë menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në të gjitha qendrat. KQZ dhe vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë do të vijojnë monitorimin e procesit të numërimit dhe shpalljen e rezultateve paraprake.
Komisioni ka bërë apel për transparencë dhe maturi nga të gjitha palët politike në këtë fazë të ndjeshme të procesit zgjedhor. /Versus.al/







