Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar për dosjen e operacionit “Metamorfoza” ku u zbuluan disa ngjarje kriminale, ka dhënë dëshminë e tij në gjyqin që u zhvillua sot në Gjykatën e Posaçme.
Ai tha se prej 3 vitesh ndodhet në paraburgim pa e ditur se çfarë ka bërë, ndërsa tha se pretendimet e SPAK lidhur me akuzat ndaj tij, e kanë futur në hasmëri me persona të ndryshëm.
“Siç e dini, akuzohem për vrasjen e Gjin Ndojit. Akuzohem se kam gjetur vendin ku do rrinte makina dhe se kam çuar e marrë vrasësit. Kushdo që ka organizuar, marrë pjesë, folur një herë të vetme që të vritet, kushdo që ka gjetur vendin e makinës ka bërë një veprim kriminal. Por më kriminale është ngritja e akuzës ndaj meje. Herën e kaluar më pyetër a jam i dënuar. Unë de facto jam dënuat, se më është bërë një gjyq publik. Çfarë nuk kam dëgjuar. Më kanë akuzuar për trafik, për vrasje, çfarë epitetesh kam dëgjuar. Gjyqet publike nuk janë për të zbardhur të vërtetën. Gjyqet publike bëhen për t’u bërë presion gjyqtarëve. Gjithë këtë histori e kanë bërë për shkëmbime favoresh.
Unë kam 30 vjet që merrem me biznes. Bizneset kryesore i kam pasur lokalet e natës dhe lojërat e fatit. Janë biznese që paragjykohen. Unë jam munduar të jem i kujdesshëm, të shtrij këmbët sa kam jorganin. Për këtë jam habitur, nuk di ku kam shkelur. Kam 3 vjet në paraburgim e nuk di çfarë kam bërë. Në hasmëri më kanë futur, aktivitetin ma kanë bllokuar. Në burg je një i vdekur që ecën. Me thashetheme e me lehtësi me të futur në burg e në hasmëri, nuk e di. Janë shumë familje të ngujuara edhe unë ju garantoj, që historia që kanë nisur këta, do vazhdojë”, tha ai mes të tjerash gjatë seancës gjyqësore. Versus.al

