Rastet e personave të prekur nga depresioni në 5 vitet e fundit thuajse janë 3-fishuar. Psikiatria Arjana Rreli thotë se numri i vizitave ditore i kalon 25 pacientë dhe ankthi është shqetësimi kryesor, ndërsa shkak është stili i jetesës.
"Të rinjtë tentojnë të mos e bëjnë jetën të shëndetshme. Jeta e natës vërtet të jep kënaqësi, por nga ana tjetër të kufizon për një ditë që të pret me angazhime maksimale, që do përqendrimin dhe angazhimin që ta ka marr nata. Pijet alkoolike, substancat janë ato që i çojnë në gjendje të ngarkuara emocionale për të shpërthyer në kriza”, tha Arjana Rreli.
Gabimi që nuk duhet të bëj një person me probleme të shëndetit mendor është Izolimi.
"Izolimi është një problem shumë i madh. Në asnjë mënyrë koha nuk duhet kaluar e mbyllur sepse një kohë që ty të mbyll në ambient do të thotë që truri të vazhdoj dhe të përpunoj ca mendime dhe ide që ndoshta nuk janë më të mirat e mundshme që nxjerrin ca përfundime që s’janë më të mirat e mundshme dhe vazhdon dhe analizon po këto. Pra hyn në një spirale", tha psikiatrja.
Por çfarë duhet të bëjmë për të mos u prekur nga problemet e shëndetit mendor, ose në rast së prekemi t'i tejkalojmë lehtë.
“Duhet të dalim jashtë dyerve, duhet të bëjmë aktivitet fizik që është shumë i rëndësishëm për trupin tonë dhe të ushqehemi shëndetshëm, duke programuar orët tona të ditës dhe sidomos gjumin që është një pasuri mbi të cilën vendoset gjithë shëndeti ynë”, tha Rreli.
Studimet kanë treguar se gratë janë më të predispozuara për t'u prekur nga probleme të shëndetit mendor.







