Gjykata e Elbasanit ka liruar sot nga qelia 6 pedagogët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” të cilët u arrestuan ditë më parë nën dyshimet se kalonin studentët në këmbim të shumave të parave.
Ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” ndërsa për sekserin Gazmend Hodaj i cili bënte rolin e ndërmjetësit për pagesën nga studentët tek pedagogët, është lënë në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”.
Gjykata e Elbasanit ka vendosur që çështja e pedagogëve të Edukimit t’i kalojë SPAK-ut duke i akuzuar ata për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”.
Detyrim paraqitje është caktuar për pedagogët:
1. Florinda Tarusha, Lënda: Filozofia e Edukimit të Fëmijërisë së hershme;
2. Monika Hodaj, Lënda: Edukimi gjinor në fëmijërinë e hershme;
3. Ornela Bilali, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme.
4. Zyhra Gripshi, Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin.
5. Adrian Shingjergji, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore.
6. Beatriçe Gani, Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës
Ndërsa në kërkim është ende pedagogia Edlira Gugu, 51 vjeçe.
Pas denoncimit në një emision investigativ, u zbulua mënyra sesi funksiononte skema korruptive. Një studente 31 vjeçare ofroi pagesën e parave në këmbim të kalimit në disa prej lëndëve ku nuk kishte arritur të kalonte me njohuritë e saj. Dhe sekseri Hodaj është ofruar të bëjë ndërmjetësin me pedagogët e fakultetit të Edukimit për ciklin e ulët. Versus.al








