AKTUALITET /

Morën peng 35 vjeçarin në Tiranë për 70 mijë euro! Të përfshirë “ushtari” i Ervis Martinajt dhe ish-presidenti i klubit të Kamzës

Hektor Xheçuka, Naim Qarri dhe 5 të tjerë akuzohen se rrëmbyen dhe kërcënuan 35 vjeçarin në Tiranë me qëllim për t'i marrë pasurinë.

Shkruar nga Versus
Morën peng 35 vjeçarin në Tiranë për 70 mijë
Hektor Xheçuka dhe Naim Qarri

Detaje të reja janë zbardhur nga pengmarrja e një 35 vjeçari në Tiranë, i cili dyshohet se u rrëmbye nga 7 persona me qëllim për t’i marrë 70 mijë euro. Mësohet se i përfshirë në pengmarrje është edhe Hektor Xheçuka i cili njihet si njeriu i Ervis Martinaj, ish-bossit të lojërave të fatit të zhdukur prej gushtit të vitit 2022.

Po ashtu i përfshirë në pengmarrje rezulton edhe ish-presidenti i ekipit të futbollit të Kamzës, Naim Qarri dhe 5 persona të tjerë të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin morën peng 35 vjeçarin (emri i të cilit nuk bëhet publik) dhe e kërcënuan me qëllim që t’i merrnin pasurinë.

Për pasojë, për 4 prej tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, konkretisht për Tori (Hektor) Xhecuka, 36 vjeç, Aleksandër Osmani, 37 vjeç, Artan Pirraci, 50 vjeç, dhe Fredi Keta, 49 vjeç. Ndërkohë, për Naim Qarri, 52 vjeç, Sajmir Kolaveri, 42 vjeç dhe Adem Metkola, 46 vjeç, është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

“Ushtari” i Martinajt, Hektor Xheçuka, 36 vjeç dhe Fredi Keta 49 vjeç, janë ende në arrati. Ndaj tyre rëndojnë akuzat "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie", dhe "Heqja e paligjshme e lirisë".

Hektor Xheçuka, ka qenë një ndër emrat e akuzuar si të përfshirë në planifikimet për vrasjen e Durim Bamit në 2020-ën. Versus.al

Poll