
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e nipit të ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja, Ariel Rraja.
24 vjeçari është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës gjatë një operacioni antidrogë që Policia e Tiranës ka zhvilluar në fshatin Luz të Fushë-Krujës.
Policia ka pasur informacione për dy persona që po transportonin lëndë narkotike dhe ka shkuar për të bërë arrestimin e Kujtim Ukajt dhe Abdurrahman Rizvanit të cilët u kapën me 60 kg kanabis.
Por operacioni i policisë ka hasur kundërshtimin e Flamur Rrahjas (i ati i Arielit) dhe Ermal Tufës, pasi kanë pretenduar që policia të mos ndërhyjë në ‘zonën e tyre’.
Efektivët e policisë kanë pikasur aty dhe Ariel Rrajan dhe kanë bërë arrestimin e tij, duke hasur sërish me kundërshtimin e Flamur Rrajas i cili tashmë është proceduar në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë së bashku me Ermal Tufën.
Ariel Rraja ishte shpallur në kërkim pasi edhe pse Gjykata i kishte caktuar masën ‘arrest shtëpie’ ai së bashku me babain e tij Flamur Rrajën dhunuan Kujtim Cacën në tetor të vitit të kaluar, konflikti i cili nisi për një kanal./Versus.al







