AKTUALITET /

Nafta, cikli në rënie i çmimeve rrit lehtë normat e fitimit

Shkruar nga Versus

Nafta, cikli në rënie i çmimeve rrit lehtë normat e

Tregtimi me shumicë dhe pakicë i naftës është një nga aktivitetet më pak fitimprurëse në vend, sa i përket normës së fitimit.

Ndonëse shoqëritë e tregtimit me shumicë e pakicë të hidrokarbureve mbizotërojnë në listën e më të mëdhave sipas të ardhurave, ato janë shumë të pakta në atë të fitimeve, teksa vijojnë që të deklarojnë norma shumë të ulëta, që nuk i kalojnë 5% për tregtuesit me pakicë dhe 2.5% për ata të shumicës.

Në 2024-n, tendenca e çmimeve të karburanteve vijoi në rënie për të dytin vit radhazi, duke zbritur mesatarisht në 175 lekë për litër nga 180 vitin e mëparshëm.

Konsumi vijoi rritjen, i ndikuar si nga ulja e çmimeve, shtimi i turizmit, një pjesë e të cilëve përdorin makina me qira për të lëvizur. Në vitin 2024, importet arritën në 657 mijë tonë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, me rritje prej 7% me bazë vjetore.

Rritja e makinave në qarkullim është një tjetër faktor që po nxit konsumin e karburanteve. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor tregojnë se numri i mjeteve aktive në qarkullim, në fund të vitit 2024, arriti në gati 960 mijë, nga 676 mijë në vitin 2020.

Vetëm në vitin 2024 u regjistruan një numër rekord prej gati 100 mijë mjetesh, pas “zbulimit” të një tregu të ri blerjeje, atij të Koresë së Jugut, që ishte origjina e importeve për 19% të mjeteve të regjistruara për herë të parë.

Përkundrejt shtimit të konsumit dhe qarkullimit të lartë të të ardhurave (Tre sipërmarrje në fushën e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve renditen ndër 10 më të mëdhatë e “Monitor 200” sipas të ardhurave në vitin 2024 dhe 21 janë në listën e 200), fitimet e tyre mbeten minimale dhe shumica e operatorëve nuk arrijnë as të hyjnë në zonën e 200-shes.

Vetëm dy shoqëri klasifikohen në listën e më të mëdhave sipas fitimeve në vitin 2024.

Një pjesë e kompanive panë një përmirësim të lehtë të normave të fitimit në 2024-n.

Operatorët shpjegojnë se kur çmimi është i ulët, kompanitë kanë më shumë mundësi të manovrojnë me çmimet, pasi dhe reflektimi ndaj rënies së tyre në bursa është pak më i ngadaltë.

Në vitin 2024, çmimet kishin tendencë ulëse, duke favorizuar shoqëritë importuese dhe tregtuese.

“Kastrati Energy Trade” (tregtim me shumicë) ishte sipërmarrja më e madhe në vend në vitin 2024, për qarkullimin vjetor, me të ardhura prej 77.6 miliardë lekësh, dy herë më të larta se e dyta në renditje nga kompanitë private.

Por, në renditjen e fitimeve shoqëria pozicionohet e 18-a, pasi fitimet mbeten minimale në raport me xhiron, në 1.76 miliardë lekë, para taksave. Norma e fitimit u përmirësua lehtë në 2.3%, nga 2% vitin e mëparshëm.

“Gega Oil Group” (me shumicë) është operatori i dytë më i madh i tregtimit të karburanteve në vend, sipas qarkullimit vjetor. Të ardhurat e tij ishin pothuajse të pandryshueshme në rreth 36 miliardë lekë.

Fitimet ishin minimale prej 144 milionë lekësh, me rritje të lehtë nga viti i mëparshëm, duke mos qenë pjesë e listës sipas fitimeve. Kompania raportoi një normë minimale prej 0.4%, nga 0.37% në vitin 2023.

“Europetrol Durrës Albania”, shoqëria e tretë më e madhe tregtuese e karburanteve sipas qarkullimit vjetor, me 35.5 miliardë lekë të ardhura, raportoi fitime prej 191 milionë lekësh në vitin 2024, me normë fitimi prej 0.68% (nga 0.57% vitin e mëparshëm).

Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil”, me të ardhura prej 15 miliardë lekësh, deklaroi humbje prej 239 milionë lekësh në vitin 2024.

“Eroil”, tregtuesi i pestë më i madh i shumicës në vend, raportoi të ardhura prej 11.7 miliardë lekësh dhe fitime minimale prej 12 milionë lekësh, me një normë të pandryshuar 0.1%.

Tregtuesit e pakicës kanë norma pak më të larta fitimi në raport me shumicën, që arrijnë deri në rreth 5%.

 “Kastrati Energy”, tregtuesi më i madh i pakicës në vend, raportoi të ardhura prej 18.3 miliardë lekësh dhe fitime që arritën në 792 milionë lekë, duke u bërë pjesë e listës së “Monitor 200”, sipas fitimeve. Norma e fitimit u përmirësua në 4.3% në vitin 2024, nga 2.5% vitin e mëparshëm.

“Olsi sh.p.k.”, një tjetër operator i madh i tregtimit të naftës (tregtuesi me pakicë i “Bolv Oil”), me të ardhura prej 6.7 miliardë lekësh, raportoi humbje 40.7 milionë lekë.

“Gega Center GKG” kishte të ardhura 7.2 miliardë lekë, teksa iu rikthye fitimeve, ndonëse ato mbeten minimale në 32 milionë lekë, me një normë prej 0.45%.

Të dhënat tregojnë se operatorët arrijnë norma më të larta fitimi në periudhat kur çmimet e naftës janë në rënie, pasi ulja e çmimeve në tregun vendas ndodh më ngadalë sesa në tregjet ndërkombëtare.

E kundërta ndodh kur çmimet në bursa rriten – në këto raste, fitimet zakonisht nuk shënojnë rritje.

Sipas operatorëve, fitimet e ulëta në këtë sektor ndikohen nga disa faktorë: lëvizjet e vogla të çmimit në tregun global, konkurrenca e fortë në tregun vendas për shkak të numrit të madh të operatorëve dhe pikave të karburantit në raport me konsumin dhe qarkullimin e automjeteve, si dhe kostot e larta të investimeve në depozitat e ruajtjes.

Të dhënat e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve tregojnë se kapacitetet e depozitave bregdetare janë rreth tre herë më të mëdha se kërkesa reale — rreth 300 – 400 milionë litra nga Vlora në Shëngjin, kundrejt 60 milionë litrave që janë realisht të nevojshme.

Shoqata përmend edhe dy faktorë të tjerë që ndikojnë në fitimet e tregtuesve: diferencat e çmimeve me zonat kufitare, që nxisin konsumatorët të furnizohen jashtë Shqipërisë, dhe kontrabandën me peshkarexha, e cila rrit konkurrencën dhe detyron importuesit të ulin çmimet./Monitor

Nafta, cikli në rënie i çmimeve rrit lehtë normat e

Nafta, cikli në rënie i çmimeve rrit lehtë normat e

Poll