
Pavarësisht kundërshtive të opozitës dhe rezervave të Bashkimit Europian, mazhoranca duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga nisma e saj për të miratuar në Kuvend ndryshimet ligjore të cilat ndalojnë pezullimin e krerëve të shtetit, mes të cilëve poste si kryeministri, ministrat, presidenti, Avokati i Popullit, kreu i KLSH dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Në dokumentin që i ka mbërritur kryeparlamentarit Niko Peleshi janë firmat e kryeministrit Edi Rama, kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe kreut të komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Ky ndryshim është duke u ndjekur edhe nga delegacioni i BE-së. Ambasadori Silvio Gonzato, i pyetur ditë më parë për këtë iniciativë tha se ata po e monitorojnë me qëllim që të mos lejohet prekja e Reformës në Drejtësi.
“Presim që qeveria shqiptare të konsultohet me ne për çdo iniciativë”-theksoi Gonzato.
Shtesa e propozuar në këtë nen prodhoi kundërshti të forta prej opozitës në seancën e të enjtes në Parlament duke e konsideruar si një mburojë përballë hetimeve të ardhshme të SPAK. Versus.al

