Ndërtimet e pa lejuara në fshatin turistik Theth, të përmendura në reagimin e sotëm të Kryeministrit Edi Rama, dyshohet se janë pronë e Prek Kodrës, i shpallur në kërkim nga SPAK për përfshirje në operacionin “Metamorfoza” dhe për tentativë vrasjeje ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Lajmi është i ditur nga burime konfidenciale për Report Tv.
Ndërtimet në Theth e reagimi i Ramës
Rama deklaroi se: “Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”. Rama ka qenw i ashpwr dhe me Prokurorinw lokale, duke shkruar: "POR NA DOLI PROKURORIA E SHKODRËS me deklaratë duke mbajtur anën e Gjelit, me teorinë që ato ngrehina qenkeshin pa themele e ai liqen betoni në livadh qenkej i pafajshëm, kështu që Policia e Shtetit e paska pasur gabim që ka kërkuar ndjekje penale për autorin e asaj masakre
Deklarata e Prokurorisë Shkodër meriton një vëmendje të veçantë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sepse e zgjeron skandalin “Gjeli” duke hedhur hije mbi aftësinë e asaj prokurorie për të arsyetuar logjikisht, e jo më pastaj për të vepruar ligjërisht"
“Metamorfoza”, Prek Kodra në kërkim
Sipas SPAK, emri i Prek Kodrës doli në operacionin “Metamorfoza” mes 21 personash të përfshirë në veprimtari kriminale. Ai konsiderohet si snajperist me aftësi të larta në armët e gjata dhe dyshohet se kishte marrë porosi për të kryer atentat ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. E-mailat nga Njësia e Anti-Terrorit të Kosovës e vendosnin Kodrën në qendër të skemës: i dyshuar për atentate ndaj Xhavit Halitit, Ismet Haxhës dhe më pas Kurtit. Shpallja në kërkim u bë pas arrestimit të disa personave në operacionin “Metamorfoza”. Organet ligjzbatuese e përshkruajnë Kodrën si figurë me nivel të lartë rrezikshmërie, i dyshuar edhe për atentat ndaj Ardjan Çapjas në Elbasan.







