AKTUALITET /

“O kthehet tek unë, ose e vras” – Mesazhi tronditës që paralajmëroi vrasjen e Ilaria Sulës

Sipas mediave italiane, ky mesazh konfirmon se Samson kishte planifikuar vrasjen, për të cilën tashmë ka pranuar fajësinë.

Shkruar nga Versus
“O kthehet tek unë, ose e vras” – Mesazhi tronditës
Mark Samson/ Ilaria Sula

Një nga mesazhet më tronditëse të zbuluara nga hetuesit italianë në telefonin e Mark Antony Samson është: “O kthehet tek unë, ose e vras.”

Ky paralajmërim u dërgua miqve të tij të ngushtë pas ndarjes me ish-të dashurën, shqiptaren 22-vjeçare, Ilaria Sula, e cila u vra në mars të këtij viti në Romë.

Sipas mediave italiane, ky mesazh konfirmon se Samson kishte planifikuar vrasjen, për të cilën tashmë ka pranuar fajësinë.

E reja shqiptare u godit me tre goditje thike në qafë, ndërsa trupi i saj u fut në një valixhe dhe u hodh në një humnerë pranë rrugës via Homs.

Prokuroria e Romës e akuzon Samsonin për vrasje me paramendim, me motive të pakuptimta dhe të rënduar nga lidhja personale me viktimën. Mesazhet e analizuara gjatë hetimeve tregojnë qartë se ai kishte përgatitur gjithçka më parë.

Më 7 korrik, Samson u mor sërish në pyetje nga prokurorët, ku për më shumë se dy orë dha detaje të reja mbi krimin. Hetimet janë drejt përfundimit dhe pritet të kërkohet gjykimi i menjëhershëm ndaj tij.

Në procesin hetimor është përfshirë edhe nëna e Samson, e dyshuar për ndihmë në fshehjen e trupit. Autoritetet zbuluan gjithashtu se pas vrasjes, Samson ka përdorur llogaritë personale të Ilaria Sulës në rrjete sociale dhe në biseda me mikeshat e saj, duke u shtirur si ajo për të devijuar hetimet.

Në një nga mesazhet e falsifikuara, thuhej: “Sofi, nuk e di nëse po bëj ndonjë budallallëk, por po shkoj në shtëpinë e një djali që e takova në rrugë.” Ky komunikim daton më 26 prill 2025, disa ditë pas krimit, dhe ka për qëllim të krijonte përshtypjen se Ilaria ishte ende gjallë.

Në dëshminë e dhënë para prokurorit dhe gjyqtares hetuese Antonella Minnuni, Samson rrëfeu vrasjen me detaje të ftohta dhe pa pendesë.

“E godita dy herë me thikë nga pas, me të njëjtën thikë që përdornim për të prerë mortadelën. Ilaria nuk kuptoi asgjë, bërtiti shumë pak,” – ka deklaruar ai.

“E futa në dy qese që kisha në kuzhinë. Pak nga pak po e kuptoja çfarë kisha bërë dhe se kjo ishte një situatë më e madhe se unë. M’u kujtua një fjali që më kishte thënë gjyshi para se të vdiste: ‘Ka zgjidhje për gjithçka, përveç të vdekurve.’”

Poll