
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë vijuar kontrollet në terren për identifikimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë të armatosur pa leje.
Pas mesnate, gjatë një patrullimi në lagjen “Guerile” në Shkodër, efektivët kanë konstatuar dy shtetas që, sapo kanë vënë re praninë e policisë, janë larguar me vrap, duke ngritur dyshime për veprimtari të paligjshme.
Pas ndjekjes së menjëhershme dhe ndalimit të tyre, është ushtruar kontroll fizik ndaj shtetasit B. H., 19 vjeç, banues në Shkodër. Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër kanë arrestuar në flagrancë 19-vjeçarin, ndërsa shtetasi tjetër, E. Ç., 29 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.

