
Një operacion i gjerë i ndërmarrë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur aktivitetin kriminal në fushën e narkotikëve në qytetin e Elbasanit, Prrenjas e Librazhd.
Sipas burimeve, në kuadër të këtij aksioni janë lëshuar plot 18 urdhër-arreste ndaj personave të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Gjatë operacionit, forcat e rendit kanë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, të identifikuara si pika kyçe të aktivitetit kriminal. Aksioni është zhvilluar në mënyrë të koordinuar, me qëllim çmontimin e një rrjeti të dyshuar që operonte në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Burimet bëjnë me dije se hetimet kanë qenë në zhvillim prej kohësh dhe kanë çuar në identifikimin e personave të përfshirë, ndërsa priten zhvillime të tjera në vijim.
Operacioni konsiderohet një tjetër goditje e rëndësishme ndaj krimit të organizuar, ndërsa autoritetet vijojnë punën për kapjen e të gjithë personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të tyre kriminal.

