
Operacionet kundër lojërave të fatit të paligjshme vijojnë në të gjithë vendin, ndërsa një tjetër rast është goditur në Tiranë.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”, është zbuluar një lokal i përshtatur për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme të lojërave të fatit, në rrugën “Kajo Karafili”.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu kanë sekuestruar 4 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri si dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë veprimtari.
Në pranga është vënë administratori i lokalit, Fabion Karkanaqe 38-vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në ambiente dhe subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon operacioni i koduar “Fati i Lojërave”.
Zbulohet një tjetër rast i përshtatjes së lokalit për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri.
Sekuestrohen 4 makineta për lojëra fati, tavolina për lojën “Poker”, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Arrestohen administratori i lokalit.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të përshtatjes së lokalit për zhvillimin e lojërave të fatit, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”.
Si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Në rrugën “Kajo Karafili” në lokalin në administrim të 38-vjeçarit, u gjetën 4 makineta që përdoreshin për lojëra fati, tavolina pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

