
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili gjatë një bashkëbisedimi online u shpreh se në garën për drejtimin e partisë nuk mund të pranohen kandidatë që, sipas tij, janë të lidhur me Edi Rama.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji i është kundërpërgjigjur Berishës me akuza të forta, duke pretenduar se ai ka bashkëpunuar me përfaqësues të qeverisë për përfitime personale.
Në reagimin e tij, Salianji përdor një gjuhë të ashpër dhe akuzuese, duke e cilësuar Berishën si të lidhur me qeverinë dhe duke pretenduar se ai është mbajtur politikisht për interesa të ndërsjella.
Ai gjithashtu e akuzon për mungesë gare të brendshme në parti dhe për pengim të proceseve demokratike.
Nga ana tjetër, Salianji i është përgjigjur edhe deklaratave të Berishës se ai është i lidhur me qeverinë, duke e kthyer akuzën në drejtim të kundërt dhe duke pretenduar se vetë Berisha ka përfituar nga raportet me mazhorancën.
Reagimi i Salianjit:
Sali “kolltuku”, plaku i lumtur në azilin e Ramës! Unë bëj burg, ti Sali bën lek nga regjimi i Ramës! Ty Sali, të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh, mua më fut në burg Rama se e mund, por për mjeranin e azilit të Ramës që je kthyer ti, unë që bëj burg “shitem”.
Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca e tendera, por unë zhurmoj. O zoti fosile, Ballukun dhe Agasin nuk i bashkoi dot Rama, jo unë. I vetmi që i ke bashkuar në një formë je ti, se paguheshe nga të dy edhe nga Agasi, edhe nga Balluku. Prandaj nuk i nxjerr dot dosjet e të dyve. Publikoji të plota, frikacak.
Ti Sali për lek shet edhe shpirtin. Nuk të mjaftojnë koncesionet, lejet, kullat, tenderat, minierat, hidrocentralet, parqet, bregdeti dhe malet që po i shqyen bashkë me Ramën; dhe për të përfituar këto, nuk ke asnjë merak të legenosesh!
Sali “kolltuku”, ti sa herë flet, legenosesh; por të jesh kaq i ulët moralisht në moshën 82-vjeçare është gëzimi më i madh për çdo njeri që s’të do mjafton të të shohë si je katandisur dhe e merr “satisfaksionin” e jetës.
Tani, meqë legenosesh me burgun, unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti: ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar.
I vetmi njeri që është marrë në patronazh nga Rama je ti. Të ka parkuar në azil luksi e të jem ushqimin qe do ti, paratë! Je me halle me drejtësinë dhe të mbajnë peng, prandaj nuk lejon garë. Nuk ke bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka bërë burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me dakordësinë e regjimit Rama–Berisha.
Por ti njihesh si mosmirënjohës, që e ha fjalën dhe gjithçka që ke bërë vetë ia ngjit kundërshtarit.
Të mban Rama në azil luksi, duke të dhënë garanci që ti nuk prekesh nga ligji; prandaj nuk lejon garë. Por do çmontohesh Sali, do çmontohesh si kambalec i Edi Ramës, do çmontohesh si segmenti i keqpërdorur dhe i blerë nga Edi Rama. Do ju çmontojmë të dyve, e ke marrë rrugën!/Versus.al

