AKTUALITET /

Ndeshja Shqipëri-Serbi/ Policia me ‘dorë të hekurt’! Ja rrugët që do të bllokohen

Policia e Shtetit, plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri – Serbi”, që do të zhvillohet më datë 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.

Shkruar nga Versus

Ndeshja Shqipëri-Serbi/ Policia me ‘dorë të hekurt’!

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm për sigurimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Serbi, që do të zhvillohet më 7 qershor në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Në kuadër të këtij plani, Policia do të eskortohet dhe sigurojë futbollistët e të dy skuadrave nga aeroporti deri në stadium dhe në kthim. Do të kryhen kontrolle të imta për ndalimin e futjes së sendeve të ndaluara, si fishekzjarrë, monedha metalike, dhe sende të tjera të rrezikshme.

Për të garantuar sigurinë dhe menaxhimin e trafikut, nga ora 15:00 e datës 7 qershor do të aplikohen kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, përfshirë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji” e të tjera.

Parkimet për tifozët do të jenë të organizuara në pika të caktuara, varësisht nga rajoni nga ku vijnë.

Policia apelon tifozët të paraqiten në stadium që në orën 18:00 për të shmangur radhët dhe të mos publikojnë në rrjete sociale biletat për të evituar falsifikimet, të cilat dënohen me ligj.

Shtetasit paralajmërohen se dhuna në stadium, hyrja në fushë pa leje, përdorimi i sendeve të forta dhe piroteknikës dënohen me gjoba ose burgim sipas Kodit Penal.

Në këtë ndeshje, Policia e Shtetit do të angazhojë qindra punonjës për të garantuar mbarëvajtjen pa incidente, duke bashkëpunuar me institucione të tjera si UEFA, Federatën Shqiptare të Futbollit, Gardën e Republikës dhe shërbime emergjence. Versus.al

 

Poll