Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro i cili prej muajsh ndodhet në qeli nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në 2 raste dhe për fshehje pasurie.
Ai akuzohet se ka tjetërsuar dy prona në Dhërmi, në dy episode, ku përfitues fundor i truallit, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS, bashkëshort i Olta Xhaçkës.
Padia për shpërdorim detyre është dorëzuar nga rivali i tij politik në zgjedhjet e 14 majit, Fredi Beleri i cili më pas u arrestua dhe u dënua me 2 vite burg për blerje votash në zgjedhjet lokale të Himarës.
Për gjykim kanë kaluar gjithashtu edhe kreu i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj dhe juristi Vezir Gjikola të cilët mbahen nën arrest shtëpie që prej muajit mars nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, në kërkim për tjetërsimin e truallit, është edhe Stavri Mëhilli i cili ka përfituar 5512 m2 tokë bujqësore në mënyrë të padrejtë dhe më pas ia ka shitur Artan Gaçi i cili është shpallur edhe investitor strategjik nga qeveria.
Arrestimi i Goros u bë në mars, teksa sapo kishte pirë një kafe pranë bashkisë të cilën drejtonte në mënyrë të komanduar. Versus.al







