AKTUALITET /

Padia në SPAK për “Albanian Files”, Braho përgjigjet nëse do të thirret kryeministri : Asnjë person nuk është imun!

Shkruar nga Versus

Padia në SPAK për “Albanian Files”, Braho përgjigjet

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka reaguar në Kuvend lidhur me çështjen e “Albanian Files”, pas pyetjeve të deputetit demokrat Gjin Gjoni, i cili kërkoi të dinte nëse Prokuroria e Posaçme do të marrë në pyetje kryeministrin Edi Rama për këtë çështje.

Gjoni deklaroi se, sipas tij, hetimet duhet të shkojnë deri te nivelet më të larta të drejtimit të qeverisë, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësitë në këtë çështje.

Në përgjigje, Braho u shpreh se SPAK nuk mund të komentojë një kallëzim konkret, por theksoi se çdo person që disponon prova duhet t’i paraqesë ato pranë institucionit të drejtësisë.

“Është kallëzim konkret dhe nuk kam asnjë koment. Kush ka prova t’i dorëzojë në SPAK. Asnjë person nuk është imun, dhe këtë e them me bindje”, deklaroi Braho.

Gjatë diskutimit, deputeti Gjin Gjoni përmendi edhe çështje të tjera të hetuara nga SPAK, duke përfshirë inceneratorët, ndërsa kërkoi që hetimet të mos ndalen vetëm në nivele të ulëta, por të përfshijnë edhe zyrtarë të lartë nëse ka indicie apo prova.

Kreu i SPAK theksoi se institucioni që drejton bazohet te provat dhe se përgjegjësia penale përcaktohet për çdo person, pavarësisht funksionit apo pozicionit që mban./Versus.al

Poll