
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 16 vite burg të autorit të mitur të vrasjes së Martin Canit, duke konfirmuar vendimin e shkallës së parë.
Më herët, në qershor, Apeli vendosi rihapjen e shqyrtimit gjyqësor dhe urdhëroi kryerjen e ekspertizave psikologjike për autorin e mitur, si edhe për të miturin tjetër që mbeti i plagosur gjatë ngjarjes.
Në dhjetor 2025, Gjykata e shpalli autorin fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë” ndaj një tjetër të mituri, i cili mbeti i plagosur.
Ngjarja ndodhi më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes dy adoleshentëve që kishte nisur disa ditë më parë brenda shkollës për motive banale. Sipas hetimeve, pas një debati të dytë në ambientet e shkollës, ku ndërhyri roja i sigurisë për t'i ndarë, të miturit u takuan sërish pas përfundimit të mësimit, pranë shkollës, së bashku me shokët e tyre.
Konflikti degjeneroi në përdorimin e një thike, ku humbi jetën Martin Cani, ndërsa një tjetër i mitur mbeti i plagosur. Gjatë përplasjes u plagos edhe vetë autori. Pas ngjarjes, ai fshehu çantën me thikën në një ndërtesë të braktisur, ku arma e krimit u gjet disa ditë më vonë. Ekspertiza konfirmoi se me të njëjtën thikë ishin goditur viktima dhe i plagosuri.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta publike dhe protesta në disa qytete të vendit, me kërkesa për rritjen e sigurisë në shkolla. Rasti nxiti gjithashtu një debat të gjerë mbi dhunën mes të rinjve dhe përdorimin e rrjeteve sociale, duke çuar më pas edhe në vendime të qeverisë për masa në këtë drejtim./Versus.al

